"Unë, agjenti i CIA-s M.H."
I njohur si poet, romancier dhe eseist, shkrimtari Pirro Loli vjen përpara lexuesit me librin e ri "Unë agjenti i CIA-s M. H.". Kësaj here kemi të bëjmë me një libër të një lloji të veçantë. Është një histori e vërtetë njerëzore, që ka në qendër një personazh real, jeta e të cilit na vjen në formën e një biografie letrare. Por ky përcaktim arrin të shprehë vetëm pak nga ajo që ndjen kur e përfundon së lexuari librin që të ka çuar në një mjedis sureal, nga ata që mund ta krijojnë e ta përligjin vetëm diktaturat. Muhamet Hoxha, xhandari nga Gjirokastra që u bë agjent i shërbimeve inteligjente perëndimore, zbriti si diversant në Shqipëri, ra në kurthin e Sigurimit dhe për 25 vjet i përshkoi të nëntë rrathët e ferrit të burgjeve komuniste. Në penën e Pirro Lolit jeta e tij kthehet në një negativ filmi për lirinë e burgosur dhe për burgun e lirë, ku gjallonin ata që ishin përtej hekurave. Nëse ia dilje të mbijetoje, të mbeteshe njeri, do ta gjeje pak liri brenda vetes. Prandaj autori, në esenë hyrëse të librit, thekson "...E pashë që ky ‘diversant‘ ishte i mbushur me dashuri, patriotizëm dhe humanizëm kundër dhunës e tiranisë dhe e çmonte lirinë individuale si themelin e të gjitha lirive. Jeta e rrezikshme e detyronte të bëhej ‘komunist‘, ‘fashist‘, ‘tradhtar‘ - herë me Zogun dhe legalitetin, herë ‘italian‘, ‘gjerman‘, rob i kapur nga gjermanët, italianët, rusët etj. Por thelbi i pandryshueshëm dhe i patundur i tij, që nuk e prek asnjë maskë e ekzistencës për mbijetesë mbeti Shqipëria dhe antikomunizmi. Përmasa tjetër që mban drejtpeshimin e librit është e kundërta e territ, drita. Një dritë e butë që buron nga humanizmi dhe mirësia e ‘barbës‘, por edhe nga befasia që të zgjon figura e Apostol Goçit, një tjetër personazh real, protagonist i dytë i këtij libri. Kemi të bëjmë me një dëshmi të prekshme të së vërtetës së madhe se thika e diktaturës u ngul në mish, depërtoi thellë në kockë, por fatmirësisht nuk mbërriti dot në palcën e njeriut shqiptar. Ndryshe nuk ka si shpjegohet qëndrimi i Apostolit ndaj Muhamet Hoxhës, të cilin e ndihmon, e mbron, e përkrah, i hap derën e shtëpisë e të zemrës, kur të tjerët e tregonin ‘diversantin‘ me gisht dhe i trembeshin si kolerës...". Stili i rrjedhshëm e plot nerv, gjuha e gjallë dhe e pasur, ndërthurja e harmonishme e fakteve dhe ngjarjeve historike me përsiatjet individuale e përfundimet e autorit plotësojnë dinamikën e rrëfimit dhe e bëjnë lexuesin, sado të paanshëm, pjesë të kësaj historie të rrallë, tronditëse, thellësisht e mëvetësisht shqiptare. "Unë, agjenti i CIA-s M. H." është një botim cilësor, me 410 faqe, i botuar nga "Globus R".