E Diel, 1 Nëntor 2026

“Unë, i pozicionuar në opozitë deri në fund të mandatit tim të deputetit”

05-09-2013 / Gazeta 55

Deputeti i qarkut të Durrësit, Agron Duka, hedh poshtë zërat e “gojëve të liga” se do t’i bashkohet maxhorancës së re


Zoti Duka ka theksuar se nuk kam marrë asnjë ftesë nga Rama dhe se nuk do të tundohet nga ofertat që mundt’i bëhen në të ardhmen
Deputeti i zgjedhur në qarkun e Durrësit, nën siglën e PR-së, Agron Duka në një prononcim për mediat  zhbëri zërat e përhapura lart e poshtë se do t’i bashkohej grupit të deputetëve të Ramës duke rikonfirmuar se do t’i qëndrojë pozicionit të tij në opozitë deri në fund të mandatit, edhe nëse do të ketë ftesa për bashkëpunim. “Unë e shoh vetën në opozitë, dhe mora mandatin si i djathtë, kjo pyetje më bëhej dhe në takime elektorale dhe unë jam përgjigjur njëlloj, pavarësisht se sjellja ime me njerëzit do jetë siç ka qenë, si me të majtët dhe të djathtët. Mandati im do jetë djathtas. Jam besnik i ideve të mia, nuk qëllon që të luaj ndryshe. Unë kështu e perceptoj. Njeriu e gjen veten mirë aty ku vlerësohet mirë, unë ndjehem mirë dhe kam marrëdhënie të mirë me anëtarë e PR si dhe liderët e PD”, deklaroi Duka, duke shprehur entuziazmin se 10 500 votat e marra në zgjedhjet e 23 qershorit, tejkaluan parashikimin e tij. Z. Duka theksoi se me kryesocialistin Edi Rama s’ka pasur asnjë komunikim telefonik apo takime direkte, megjithatë ai shpresonte të merrte një mesazh urimi prej tij. Deputeti Duka e vlerësoi fitoren e Ramës jo të plotë, pasi sipas tij ai fitoi vetëm prej aleancë me LSI-në, duke pasur një numër më të vogël mandatesh se në 2009, ndërkohë që shprehu rezervat për përbërjen e kabinetit të ri qeveritar si dhe për programin qeverisës. “Nuk kam kontakte dhe nuk kam pasur asnjë ftesë, por dhe po të kisha preferoj të qëndroj në opozitë pasi ndjehem mirë me kolegët e mi dhe kryetarin e PR dhe PD”, përfundoi Duka.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›