E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unë marrkam erë nga regjisura



Të rinjtë nuk e njohin veten, edhe pse mbarojnë Akademinë e Arteve, a bëjnë për aktorë apo për regjisor, apo janë zero me xhufkë, pra që s’kanë talent. Regjisorja e re, Alma Hoti, që u nda me çmimin e parë nga Festivali i të Rinjve të Teatrit, që organizon çdo vit Teatri Kombëtar, thotë se për herë të parë me shfaqjen “Shtëpia e Bernarda Albës” ka provuar veten se bëka si regjisore, pa asnjë lloj hipokrizie në mes. Pas çmimit, iu tha se për ta nderuar më tej, si zbulim favor do të kishte dhënien e premierës në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar

Mbrëmë Alma ka provuar “ethet” e skenës të “të mëdhenjve” të teatrit, ndërsa në intervistën e mëposhtme tregon një marrëdhënie të sinqertë që ka me teatrin edhe pse për herë të parë qysh nga mbarimi i Akademisë, vë një vepër të vështirë siç është “Shtëpia e Bernarda Albës”

Mbrëmë në Teatrin Kombëtar ju keni dhënë shfaqjen “Shtëpia e Bernarda Albës”, e cila fitoi në festivalin e të rinjve. Si ndiheni për këtë?

Ndihem e kënaqur që u shpërbleva për ato muaj pune dhe atë sakrificë që unë bashkë me të gjithë stafin bëmë në festivalin e të rinjve, pasi ishte jashtë mase impenjative, qoftë si vepër, shfaqje, apo si trupë. Shfaqja kishte vështirësi të jashtëzakonshme, ku nuk ndodh që t’i shohim në një festival të tillë. Nuk ndihem e vlerësuar për çmimin e parë, pasi çmimet në jetë mund të jenë të shumta, por të paktën na u vlerësua puna. Unë personalisht pa pasur asnjë lloj hipokrizie ndaj atyre që më dhanë çmimin, më vjen mirë që u treguan korrekt ndaj këtij çmimi. Shpresoj që ky çmim të mos më lërë në hije, por të jetë një mundësi për të ecur përpara e për të bërë punë edhe më të mira.

Ishte hera e parë që u paraqitët me një vepër të tillë dhe fituat çmimin e regjisë më të mirë. Çfarë domethënie ka ky vlerësim për ju? Ju jeni edhe një regjisore e re.

Është shumë domethënës, pasi kuptoj se unë marrkam erë nga regjisura, pasi ndodh që ku ne mbarojmë Akademinë e Arteve dhe e kemi shumë të vështirë që të vëmë shfaqje në skenë. Megjithatë, sërish ne angazhohemi në punë të dyta që kanë të bëjnë me televizionin, organizimet e spektakleve etj. Ndërsa të bësh regji të vërtetë në skenë është e vështirë, duhet të kesh shumë guxim, vullnet. Për mua të paktën nga profesioni im si regjisore, mund të jap diçka. Ky është vetëm fillimi, e ndonëse kemi bërë një punë të vogël, them se ka vlerë shumë të madhe.

I kishit parë shfaqjet e tjera?

Pa diskutim, të gjitha shfaqjet e tjera konkurruese i kisha parë. Kjo jo vetëm si një detyrim i festivalit, por edhe një obligim nga ana ime si regjisore, për të parë punët e kolegëve të mi.

Si të janë dukur? Si i keni parë ju këto shfaqje?

Secila punë ka pasur anët e mira dhe jo të mira, ashtu siç kishte edhe shfaqja ime. Ajo në total ishte shfaqje e realizuar, por nuk ishte perfekte. Punët e tyre unë i kam vlerësuar në disa pikëpamje, duke u nisur fillimisht nga guximi për të ngjitur këtë skenë. Në këtë rast mund të përmend punën e regjisores nga Kosova, e cila kishte sjellë diçka shumë interesante në llojin e saj, kishte përdorur disa elementë regjisorialë, si video-projektorin, vendin e veprimit etj. Po ashtu edhe shfaqja e Sona Ulqinakut ishte e veçantë, pasi ishte një komedi dhe një vepër shqiptare. Kjo duhet vlerësuar. Apo vepra absurde e Elis Mataj, që është shumë e vështirë për t’u realizuar, e kishte protagonistë dhe aktorë që u munduan të jepnin maksimumin.

Çfarë e bënte shfaqjen tuaj fituese?

Ndihem e vlerësuar, e them këtë pa asnjë lloj hipokrizie, sepse shfaqja ime në total është një punë kolosale. Për të vlerësuar një shfaqje si më të mirën, merren parasysh shumë komponentë njëkohësisht. Me aq sa kisha mundësi, buxhetin që kishim në dispozicion të them, se të mirë e bënte loja e dhjetë aktoreve në skenë, qoftë mënyra se si unë e kisha konceptuar dramën e madhe për një histori të dashurisë së ndaluar, që gjithmonë na çon në një veprim të gabuar, apo nga gjetje të tjera regjisoriale që kisha përdorur me futjen e Pepe Romanit në skenë, gjë që nuk ka ndodhur më parë, pasi në vepër nuk ekziston, është thjesht një imazh. Kishte momente të vogla etydesh që i dhanë shumë jetë veprës, qoftë me muzikën, apo kostumet. Duhet të pranohet që gjysma e suksesit të një shfaqjeje është vepra e mirë. “Shtëpia e Bernarda Albës” ka mbi një mijë vënie nëpër skenat e botës. Të gjitha këto i kanë dhënë shumë potencë shfaqjes, duke u ndërlidhur edhe me punën tonë. Këtë çmim e ka merituar jo Alma, por shfaqja sepse ka qenë një punë e bërë në ansambël, por që ishte e rezultatshme. Kjo është arsyeja që shfaqja është vlerësuar për regjinë më të mirë. Unë kam marrë këtë çmim dhe në të vërtetë ende nuk po e shijoj, si vlerësim të punës sime, pasi ka abuzime pafund. Nuk di raste në Shqipëri që të thonë “bravo”, pasi merr një çmim çfarëdo.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Abuzohet në momentin që merret një çmim. Është abuzuar me faktin se unë e paskam marrë çmimin me miqësi, kjo është e padrejtë të abuzohet me punën kolosale. Unë kam lënë mënjanë rëndësinë e familjes sime, për ta bërë një shfaqje sa më të mirë. Mund të bëja edhe unë si shumë të tjerë që të merrja vetëm tre apo katër personazhe për një vepër, dy milionë lekë në xhep, të bëja një skenografi sa për të kaluar radhën dhe të isha në rregull në këtë aspekt. Por, teatri nuk mund të funksionojë pa fund në këtë mënyrë. Teatri ka sakrificë, nëse do të bësh diçka të mirë e që të mos harrohet lehtë. Unë nuk funksionoj kështu, jam gatuar krejt ndryshe. Nuk do lejoja asnjëherë të kalojnë të tjerë mbi identitetin tim.

Kishit aplikuar shumë gjetje regjisoriale, ashtu siç e keni përmendur edhe ju në këtë shfaqje. Nga jeni nisur për t’i përzgjedhur ato, si elementët konceptualë të shfaqjes?

Duke qenë se shfaqja ndërtohet vetëm nga femra, kjo vepër është për botën e femrës në të gjitha të bukurat dhe të shëmtuarat që femrës i atribuohen në jetë nga mentaliteti mashkullor, apo rrethana të tjera shoqërore. Po ashtu, edhe unë duke qenë se jam vetë një femër, kam pasur ndjesi të pafund për këtë vepër, madje kam pasur imazhe regjisoriale që shkonin shumë larg, por mundësitë të kufizojnë. Do të shikoheshin shumë detaje që vërtet mua do të më shijonin si regjisore. Këto gjetje i kam trajtuar nga fakti që unë jam një femër, një vajzë, një nënë e një gruaje, e cila është në përplasje pa fund me këtë mentalitet.

Cili është turi i shfaqjes suaj, që pas natës së mbrëmshme në Teatrin Kombëtar?

Ne kemi dhënë një shfaqje në Shkodër dhe më bëri përshtypje se publiku e mbushi sallën plot, që do të thotë se pati një interes të madh edhe pse atë natë qëlloi një shi i rrëmbyeshëm. Vepra i kishe thithur njerëzit. Kemi mjaft oferta për të marrë pjesë nëpër shumë festivale, duke përfaqësuar Shqipërinë. Jam një person që mendoj se kam një vullnet të hekurt, e mbi të gjitha jam femër. Kam mbaruar Akademinë e Arteve dhe nuk dua të vdes me një diplomë bosh në xhep. Jam e vetmja femër që pas pesë vitesh fitoj një çmim, e është po ashtu vepra e parë që trupa përbëhet vetëm nga femra. Kjo duhet vlerësuar, e jo përbaltur. Unë dua ta vë në shumë skena këtë shfaqje, por kontributi për teatrin është shumë i dobët, është minimal.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›