E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: Një pallat mbi rrugët e qytetit nuk mund të rrijë në këmbë, po zbatojmë ligjin



Pallati 12-katësh i ndërtuar në qendër të Tiranës mbi një truall publik do të prishet dhe ky veprim është vetëm zbatim i ligjit, pas ai është ndërtuar në një truall publik, i dhënë me qira kundrejt një vlere qesharake. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, ka sqaruar dje për median se objekti 12-katësh është ndërtuar në një rrugë publike dhe si i tillë nuk mund të qëndrojë në këmbë.

“Asnjë pallat mbi rrugët e qytetit nuk mund të rrijë në këmbë, dhe nuk do të rrijë në këmbë për sa kohë në këtë vend do të funksionojë ligji”, - u shpreh dje ministri i Transporteve, Olldashi, gjatë një deklaratë për shtyp në lidhje me shembjen e pallatit 12-katësh në pronësi të kunatit të deputetit të Partisë Socialiste, Dash Peza, i ndërtuar në rrugën “Urani Pano”, pas hotelit “Internacional Tirana”. Ministri Olldashi tha se kemi të bëjmë me një pallat të ndërtuar mbi truall publik të dhënë me qira, duke shtuar se ky është rasti unik në planet, kur një rrugë është e dhënë me qira, në mënyrë që mbi të të ndërtohet një pallat. Ministri bëri publike gjithashtu dhe dokumentacionin përkatës, që vërteton dhënien me qira të truallit ku është ndërtuar pallati. “Nëse i referohemi dokumenteve, ky është vendimi i KRRT-së së Bashkisë së Tiranës, i cili miraton sheshin e ndërtimit për këtë pallat 12-katësh, në pronë të z. Ilir Mata dhe në qoftë se lexoni pikën 2, thuhet: “Zbardhja e lejes së sheshit do të bëhet pasi të ketë bërë një kontratë paraprake me Këshillin Bashkiak për blerjen e truallit publik, që shfrytëzohet për realizimin e këtij objekti, në bazë të çmimit të liberalizuar të tregut për vetë pozicionin ku ndodhet””, - ka sqaruar ministri Olldashi. Sipas tij, në këtë dokument presupozohet që leja do të zbardhet, pasi trualli publik të shitet dhe në fakt trualli nuk është shitur, sepse bashkia nuk ka pasur mundësi ta shesë, pavarësisht se në një rast të ngjashëm ka bërë shitje trualli, këtu nuk ka bërë shitje trualli këtu i ka rënë shkurt, ka bërë një dhënie me qira, pra truallin publik, rrugën që lidhte godinat e tjera të atij pellgu e ka dhënë me qira tek z. Ilir Mata. Ministri publikoi kontratën ““Për dhënie trualli me qira, pika e parë”, të miratohet dhënia me qira e truallit”, vendim i Këshillit Bashkiak ky. “Afati i dhënies me qira të jetë deri në rifillimin e procesit të shitjes së trojeve”. Ministri sqaroi se vendimi i Këshillit Bashkiak për dhënien e truallit, e rrugës, me qira, presupozon që në një të ardhme të afërt kjo rrugë apo ky truall do t’i shitet subjektit privat, në mënyrë që aty të ndërtohet pallat. Ministri duke iu referuar qirasë midis Bashkisë së Tiranës, përfaqësuar nga kryetari i saj, z. Edi Rama dhe qiramarrësit Ilir Mata, bëri të ditur se qiraja vjetore është: 51 m2 herë 1600 lekë në vit, gjithsej 8.160 lekë në vit, apo 81 mijë lekë të vjetra në vit.

Ministri tha se për këtë pallat që ka zënë rrugën, ka në kontratë edhe firmat e z. Rama dhe z. Ilir Mata. E para që ka konstatuar shkelje flagrante ka qenë Policia e Ndërtimit dhe kjo në kohën e qeverisë së Partisë Socialiste. Ai publikoi një shkresë të Policisë së Ndërtimit, me firmën e z. Mark Nikolli. Ministri nënvizoi se në të gjitha pikat konstatohet shkelje, ka shkelje në përmasat e projektit, ka shkelje në kolonat që dalin përtej projektit të miratuar, ka shkelje në dhënien e kateve, ka shkelje sepse në vendimet dhe lejet nuk jepet funksioni i objektit dhe nuk ka përputhje të pjesës nëntokësore të ndërtimit.

Ministri sqaroi gjithashtu se me vendim të KRRTRSH-së, po të kohës kur qeveriste z. Nano, është vendosur që Bashkia e Tiranës të parashikojë lënien e kalimit këmbësor publik veri–jug, pra të lërë të lirë rrugën. Vendim ky që ndërtuesi ka refuzuar ta zbatojë që nga dita e parë që ka marrë lejen dhe deri më sot, dhe është pikërisht ky vendim që ne po e vëmë në zbatim. “Po lirojmë rrugën, rrugën që është pronë publike dhe që për 81 mijë lekë të vjetra në vit zotëria e ka marrë me qira pafundësisht. Ky është vendimi që ne po zbatojmë dhe ky është vendimi që ne kemi ndërmend t’i shkojmë deri në fund.

Unë dua t’ju siguroj, që asnjë faktor, asnjë aktor, nuk do të na detyrojë të ndalemi nga vendosmëria për të zbatuar ligjin dhe për ta çuar deri në fund këtë praktikë. Një pallat mbi rrugët e qytetit nuk mund të rrijë në këmbë dhe nuk do të rrijë në këmbë për sa kohë në këtë vend do të funksionojë ligji”, - ka deklaruar dje ministri Olldashi.

Konfrontimi

Policia e Tiranës do të padisë Policinë Bashkiake për veprime antiligjore

Policia e Tiranës do të dërgojë në kallëzim penal në Prokurori ndaj Policisë Bashkiake të kryeqytetit, për veprime antiligjore të kryera ndaj tyre, në aksionin e djeshëm për prishjen e një pallati 12-katësh të ndërtuar në hapësirë publike. Sipas njoftimit për shtyp të Policisë së Tiranës, më datë 08.12.2009, forcat e Policisë Bashkiake të Bashkisë Tiranë kanë tentuar dhe janë konfrontuar me punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët kishin bllokuar zonën për të garantuar veprimtarinë normale të Inspektoratit Ndërtimor, si dhe për të garantuar jetën e shëndetin e qytetarëve, si pasojë e punimeve që po kryheshin për prishjen e këtij objekti. Sqarohet se veprimi i uniformave blu të kryeqytetit është kryer “Në mbështetje të ligjit nr. 9749, datë 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”, dhe pas kërkesës nr. 208 Prot., datë 07.12.2009, të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar Dega Tiranë, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ka mbështetur veprimet e këtij inspektorati për prishjen e një objekti të ndodhur në rrugën “Urani Pano” në Tiranë”. “Është në praktikën e punës së policisë dhe njëkohësisht një detyrim ligjor i saj, të mbështesë në veprimtarinë e tyre institucionale qendrore dhe vendore. Vetëm gjatë këtij viti, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka mbështetur në 5 raste Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar dhe në 675 raste Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë së Tiranës”. Duke i vlerësuar këto veprime si të paprecedente dhe antiligjore, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë garanton opinionin publik se pavarësisht nga këto veprime, në të gjithë veprimtarinë e saj, do të udhëhiqet vetëm nga ligji.

Kërkesa

Prishja e pallatit, Ilir Mata padi në gjykatë

Një ditë pas fillimit të prishjes së fasadës së pallatit 12-katësh në ndërtim, kunati i Dash Pezës i është drejtuar me një kërkesë-padi Gjykatës së Tiranës. Kërkesa është depozituar mëngjesin e djeshëm nga përfaqësuesi ligjor i shtetasit Ilir Mata dhe po në të njëjtën ditë i është nënshtruar procedurës së hedhjes së shortit elektronik. Do të jetë gjyqtarja Ariana Caco, e cila në ditët në vazhdim do të shqyrtojë padinë, ku kërkohet pezullimi i veprimeve të Inspektoratit të Lartë të Ndërtimit. Në kërkesë-padi shkruhet se ky pezullim kërkohet, pasi nga ana e paditësit disponohen të gjitha dokumentet e pronësisë dhe se ndërtesa është e hipotekuar. Ndërkohë që nga Hipoteka e kryeqytetit ka pasur një reagim dy ditë më parë, ku thuhet se kjo godinë është hipotekuar si karabina nga ish-kryeregjistruesi Gazmend Zeneli.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›