E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ungrej/ Rruga e re shton turistët në fshatin malor të Lezhës

Kështjella e Kastrit, fortifikimet ilire, Qafa e Pazarit e shumë të tjera janë disa prej pikave kryesore që mund të vizitosh në fshatin Ungrej të Lezhës.

E veçanta e kësaj zone janë dhe kullat e vjetra me plot 200 të tilla.

“Pasuria më e madhe e kësaj zone janë kullat, janë rreth 200 të tilla. Pjesa më e madhe prej tyre janë braktisur, por një pjesë e banorëve janë rikthyer gjatë stinës së verës apo emigracioni, megjithatë vetëm pak kanë vendosur të jetojnë këtu.

E rëndësishme është që kanë vënë dorë mbi këto objekte për të mos i lënë të degradojnë. Nga 200 që janë në total, rreth 50 prej tyre janë në gjendje relativisht ët mirë, mund të jenë të jetueshme dhe kanë potencial për t’u përshtatur në bujtina”, tha Paulin Zefi, përgjegjës i trashëgimisë kulturore, bashkia Lezhë.

Me asfaltimin e plotë të rrugës, njerëzit kanë nisur të rikthehen në Ungrej. Ata po restaurojnë shtëpitë e vjetra një e pjesë e të cilëve për t’i kthyer në bujtina për turistët, numri i të cilëve po vjen gjithnjë në rritje.

“Kjo ishte nyja kryesore sepse zona ishte drejt degradimit. Pjesa e asfaltimit të rrugës përshkon qendrën dhe shkon deri te fshatrat. Impakti ka qenë i dukshëm që në javët e para, pasi aksesimi për turistët ka qenë më i lehtë”, u shpreh Agustin Zefi, administrator i njësisë Ungej.

E pasur me histori, kulturë, natyrë, në Ungrej gjen traditën e shpirtin mikpritës të banorëve, ndaj dhe kjo zonë është një ftese për vizitoret vendas dhe të huaj.

Gazetare: Megi Mëhilli

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›