“Romeo e Zhuljeta” hap sallën e re ‘Shekspir’
Një zgjedhje vërtet domethënëse ajo e regjisorit Kiço Londo, për të promovuar sallën e re të Teatrit Metropol, ‘Shekspir’, me premierën e një prej tragjedive më të njohura të dramaturgut anglez, “Romeo e Zhuljeta”. Premiera e tragjedisë së njohur u dha këtë fundjavë në Teatrin Metropol. Salla e re, me një kapacitet prej 300 vendesh, ishte mbushur këtë fundjavë për të ndjekur versionin klasik të dashurisë tragjike më të njohur në botë, ajo midis Romeos dhe Zhuljetës. Edhe kostumet e aktorëve të rinj të cilëve Londo u kishte besuar veprën e Shekspirit, sillnin pikërisht atmosferën e viteve 1500-1600. Rolin e Romeos regjisori ia kishe besuar aktorit të ri Lulëzim Zeqaj dhe të Zhuljetës, Esela Pusqylit. Në fakt, regjisori ishte përpjekur për ta sjellë edhe pak në kohë dashurinë e dy të rinjve. “Romeo e Zhuljeta” nuk mbështetet mbi raportin e dy të rinjve të dashuruar plot ëndrra për të pasur njëri-tjetrin. Nuk shohim një çift të dashuruarish, që vuajnë dhe ëndërrojnë për njëri-tjetrin, por shohim një staf aktorësh të cilët i tregojnë publikut se sa shumë e duan Shekspirin, sesa shumë vuajnë për të, sesa shumë ëndërrojnë që ta luajnë Shekspirin dhe këtë gjë e bëjnë plot pasion dhe plot dashuri.” - tha ndër të tjera regjisori Londo.