E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, Berisha: Jo më botime pa kritere

Kryeministri Sali Berisha u kërkoi dje drejtuesve të universiteteve, stafeve pedagogjike, që të përkthejnë botime të huaja, kryesisht ato të gjuhës angleze dhe të mos përdoren më tekste pedagogësh pa kritere dhe jocilësore. Berisha u shpreh se duhet të ngrihet një grup pune, që të merret me rishikimin e të gjitha teksteve, pasi ka botime që nuk plotësojnë kriteret. Gjatë konferencës së djeshme për reformimin e arsimit të lartë, Berisha evidentoi: "Tekstet kanë hierarki, disa prej tyre janë limonadë. Ti përvishemi përkthimit të teksteve më të mira, të krijojmë module, edhe të ribotimit të tyre, përmirësimet që bëjnë, është kusht". Duke e konsideruar figurën e mësuesit si epiqendra e reformave në arsim, Kryeministri Berisha tha se në këto pesë vite janë bërë përpjekje të mëdha për statusin e mësuesit duke u përqendruar më shumë se te kushdo tjetër në të tërë administratën shqiptare. Mësuesi dhe roli i tij është përparësi e qeverisë, - cilësoi Kryeministri, duke theksuar se dyfishimi i pagave për rreth 35 mijë mësues ishte një nga vendimet më të vështira, pasi për këtë vendim qeveria ka bërë reforma të vështira në shumë sektorë. Kreu i qeverisë dha mbështetjen për sistemin e Bolonjës, duke vënë në dukje se ky sistem po të mirëpërshtatet, jep rezultate të mrekullueshme. Ai rinënvizoi se epërsia është në shkollën amerikane, pasi ky sistem është provuar i suksesshëm, ndaj duhet të shohim drejt tij. Prandaj edhe anglishtja duhet të jetë një gjuhë për të gjithë, pas gjuhës tonë amtare, pasi është gjuha e shkencës dhe teknologjisë, - vijoi Berisha. Nisur nga ky këndvështrim, ai i kërkoi ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, që të nisë përkthimi i teksteve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›