Anglisht, edhe në Bachelor

Kryeministri Sali Berisha inkurajon përkthimet e literaturës së huaj. "Tekstet janë akoma ato të para 20 viteve"
I pranishëm në konferencën "Reforma në mësuesi", Kryeministri Sali Berisha ka pohuar në mënyrë indirekte miratimin e ligjit të ri për arsimin e lartë.
Përfshirja e gjuhës angleze në programin e masterit ka qenë një nga pikat më të diskutuara të këtij ligji, dhe me deklaratën djeshme kryeministri jo vetëm që siguroi që kjo gjuhë do të jetë pjesë e programit master, por më tej akoma edhe pjesë e programit Bachelor.
"Është jetike që anglishtja të jetë, pas gjuhës sonë, një gjuhë për të gjithë. E vendosëm në Mastera, por unë, sinqerisht, ju them se do ta vendosja dhe në Bachelor.
Kjo, sepse çfarë do që t'u japim ne nxënësve në kokën e tyre, cilëndo doktrinë që do të mund ta bëjmë të përvetësueshme prej tyre apo studentëve, asnjëra nuk e ndriçon mendjen e tyre më shumë se anglishtja", u shpreh kryeministri, duke argumentuar se anglishtja është gjuha e teksteve, gjuha e shkencës dhe gjuha e teknologjisë. Sipas kryeministrit, alfabeti ynë i ka të gjitha germat dhe për këtë arsye nuk imponon ndonjë vështirësi të madhe.
"Por, edhe në qoftë se u imponohet, ju ftoj ta lehtësoni, ta bëni këtë edhe në kurriz të lëndëve të tjera, të rrisni kreditet e saj. Por duhet ta marrim në mënyrën më serioze. Ky është kushti i kushteve në këtë reformë", - u shpreh ai.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri u ndal edhe tek tekstet mësimore, duke i cilësuar tekstet e hartuara nga autorë shqiptarë si tepër të vjetra. "Tekstet duhet të përkthehen. Të heqim dorë nga tekstet tona. Unë druaj se tekstet janë akoma ato të që janë shkruar para 20 vjetësh.
Dëshiroj të mos jenë. Dashuria për tekstet tona është një patologji, t'i lëmë mënjanë", deklaroi kryeministri. Për të zgjidhur këtë situatë, ai i ka kërkuar Ministrit Tafaj, një angazhim më të madh për përkthimin e teksteve më të mira, si dhe për krijimin e një moduli për ribotimin dhe përmirësimin e tyre.
"Dija dhe shkolla duhet të bazohen mbi tekstet më të mira. Ju e dini se cilat janë tekstet më të mira. Të gjitha, edhe në qoftë se shkruhen në gjuhë tjetër, ato mbijetojnë vetëm në anglisht", përfundoi kryeministri.