Shkollat, paketë me 12 shërbime promovuese shëndetësore
Ministri i Shëndetësisë ka miratuar paketën promovuese të Shërbimit Shëndetësor në Shkolla. Bejtja: Zbatues janë mjekë, mësues, psikologë dhe stomatologë
Të gjithë nxënësit e shkollave 9-të vjçare dhe të mesme do të kenë një paketë promovuese të Shërbimit Shëndetësor. Kjo paketë përmban 12 çështje, ku cilësohen qartë për çdo pikë aktivitetet edukuese dhe mjekësore, si të mjekut ashtu edhe të infermierit, stomatologut dhe psikologut.
Drejtori i Shërbimit Parësor në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazment Bejtja, theksoi për gazetën se për hartimin e kësaj paketë është marrë konsulenca e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe se tashmë është përcaktuar qartë metodologjia që do të përdoret. Ndërsa zëdhënësja për shtyp e Ministrisë së Shëndetësisë renditi 12 shërbimet që do të marrin nxënësit në shkolla nga paketa e promovimit shëndetësor.
Paketa
Ministri i Shëndetësisë, Z. Petrit Vasili, ka miratuar paketën promovuese të Shërbimit Shëndetësor në Shkolla. "Miratimi i kësaj pakete shënon një riorganizim thelbësor të rolit të mjekëve dhe punonjësve të tjerë të shëndetësisë që kujdesen për shëndetin e nxënësve të shkollave 9-vjçare dhe të mesme", - pohon Alisa Demollari, duke shtuar se mjekët në shërbimin shëndetësor në shkolla tashmë kanë të qartë detyrat e tyre dhe edukimit.
Disa nga pikat e kësaj pakete janë për mospërdorimin e duhanit, alkoolit dhe drogave, por edhe kujdesi ndaj HIV-AIDS dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme do të kenë një vëmendje madhore e të vazhdueshme.
Organizimi
Paketa promovuese e Shërbimeve Shëndetësore në Shkolla do të fillojë të aplikohet në shtator të këtij viti. Sipas drejtorit të Shërbimit Parësor, Gazment Bejtja, në fillim po bëhet trajnimi i mësuesve, mjekëve, stomatologëve dhe psikologëve në lidhje me metodologjinë që do të përdoret.
"Materialet e paketës promovuese të shërbimit shëndetësor në shkolla do të zhvillohen jo vetëm në orët e lira, por shumë çështje të rëndësishme do të zhvillohen bashkërisht dhe në bashkëpunim të ngushtë mes mjekeve dhe drejtuesve e mësuesve në shkolla", - pohon Bejtja, duke shtuar se vlerësimi do bëhet nga sektorët e monitorim e vlerësimit, pranë Drejtorive të Shëndetit Publik në rrethe, të cilët do të monitorojnë dhe do informojnë për ecurinë e kësaj pakete.
12 çështjet e paketës promovuese të Shërbimit Shëndetësor
1. Dhuna (e lidhur ngushtë me dhunën në familje dhe shoqëri )
2. Aksidentet dhe traumat (vçanërisht informimi dhe edukimi mbi kodin rrugor)
3. Shëndeti Mendor dhe Mirëqenia Psikologjike
4. Zhvillimi dhe Rritja e Shëndetshme
5. Ushqyerja e Shëndetshme
6. Fëmijët me nevoja të vçanta (fëmijët me aftësi të kufizuar dhe sëmundje të caktuara kufizuese etj.)
7. Sëmundjet Kronike (astma, diabeti, sëmundje të lëkurës, çrregullime të shikimit dhe dëgjimit etj.)
8. Parandalimi i Sëmundjeve Ngjitëse
9. Shëndeti Oral
10. Shëndeti seksual dhe ai riprodhues, HIV
11. Aktiviteti fizik (metodologji dhe mbikëqyrje me mësuesit e edukimit fizik)
12. Duhani, Alkooli dhe Abuzimi me Drogat