E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, Formulari A3 edhe për mbetësit që marrin provimet

SHKRUAN: Jonida Tashi 29-07-2011 11:19

Formulari A3 që do të përdoret për raundin e dytë të pranimeve në universitete, ku kandidatët do të konkurrojnë për të fituar shkollën e lartë vetëm për vendet e mbetura bosh nga raundi i parë, do të mund të plotësohet edhe nga maturantët që kanë rezultuar mbetës në provimet e Maturës. Por, kushti kryesor që këta maturantë të plotësojnë këtë formular, do të jetë marrja e provimeve ku ata kanë ngelur, gjatë sezonit të vjeshtës, në të kundërt, nuk do ta kenë këtë mundësi. Sipas drejtorit të Arsimit Parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu, grupet që do të përfitojnë nga kjo mundësi janë të gjithë maturantët që kanë mbetur në provimet e detyruara, apo në lëndët me zgjedhje, ata që për shumë arsye nuk e kanë dhënë një apo më shumë provime, si dhe maturantët neglizhentë që nuk kanë plotësuar Formularin A1. Ndaj, Vejsiu bën të ditur se të gjithë kaluesit e këtyre lëndëve ngelëse, mund të plotësojnë një formular të tretë, për të konkurruar në universitet. Sipas vendimit të fundit të marrë nga MASH, ndryshe nga një vit më parë kur me A3 aplikuan vetëm maturantët që kishin plotësuar Formularin A2, dhe nuk figuronin të regjistruar në asnjë program studimi, edhe pas mbylljes së fazës përfundimtare të regjistrimeve, sivjet Formularin A3 do të kenë të drejtë ta plotësojnë jo vetëm maturantët që nuk janë shpallur fitues gjatë raundit të parë, por edhe mbetësit që marrin provimet në vjeshtë, sikurse edhe maturantët që e kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë vendit. Ky është një tjetër shans që u jepet këtyre të rinjve për të vijuar studimet e larta në universitetet publike. Por, përpos këtij fakti, një nga arsyet kryesore pse MASH vendosi të kthejë Formularin 3 si dhe t’u japë të drejtë maturantëve të vjeshtës që të aplikojnë nëpërmjet tij për në universitet është plotësimi i kuotave të miratuara për çdo program studimi, për vitin e ri akademik, që janë plot 23 843 të tilla, dhe që eksperienca e çdo viti ka treguar se ato nuk janë realizuar asnjëherë plotësisht, pasi në universitetet e rretheve ka mjaft degë që nuk kërkohen nga të rinjtë. Për këtë gjë edhe vetë autoritetet e arsimit janë të bindura, kjo për faktin se ka rezultuar që aplikimi nëpërmjet Formularit A3 nuk ka qenë i suksesshëm për arsyet që do të përmendim më poshtë. Prish parimin e Meritë-Preferencës nëse aplikohet vetëm për kandidatët që nuk kanë fituar në asnjë program studimi, sepse ul nivelin e pikëve të fituesit të fundit në të gjitha programet e studimit. Në veçanti ul shumë nivelin e pikëve të fituesve në programe të tilla të studimit si Mjekësi, Stomatologji, Farmaci etj., në të cilat kandidatët që aplikojnë me A3 kanë një sasi pikësh shumë më të vogël sesa kandidatët që kanë fituar me Formularin A2. Nëse ky formular do të aplikohej vetëm për disa degë të caktuara që nuk kanë plotësuar kuotat në universitetet e rretheve ose nuk kanë pasur kërkesa, sërish do të ishte i pasuksesshëm, sepse nuk do të paraqiste interes për t’u plotësuar nga kandidatët. Kështu, në vitin akademik 2010-2011, me Formularin A3 aplikuan 4623 kandidatë nga 11126 të mundshëm, pra vetëm 40% e tyre. Kjo tregon mungesën e interesit të këtyre kandidatëve për të vazhduar garën me Formularin A3. Në dispozicion të këtyre kandidatëve u vendosën 2440 kuota që ishin shpërndarë kryesisht nëpër universitetet e rretheve. Në këtë fazë pati 1959 fitues, nga të cilët u regjistruan 1274, pra nuk u regjistruan 685 fitues (35%). Përveç kësaj, nga 2440 kuota në 122 programe studimi të Formularit A3, 479 kuota (19%) nuk u kërkuan fare nga kandidatët. Siç shihet, nga 2440 kuota gjithsej vetëm 1274 u shfrytëzuan nga kandidatët/maturantë, pra pothuajse sa gjysma e numrit të kuotave (52%) .Gjithsesi, të gjithë ata të rinj që kanë dëshirë të aplikojnë për kuotat e paplotësuara duhet të dinë se në Formularin A3 do të renditen të gjitha degët e universiteteve që do të kenë ende vende të lira dhe përkrah secilës prej tyre do të shënohen dhe kuotat përkatëse. Edhe në këtë formular, maturantët do të kenë mundësi të përzgjedhin 10 preferenca të ndryshme studimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›