E Shtunë, 31 Tetor 2026

Part-time, mbi 9 mijë kuota për vitin e ri akademik

Studimet me kohë të pjesshme gjatë vitit të ri akademik do të mund t’i ndjekin mbi 9 mijë kandidatë. Ministria e Arsimit ka vendosur që për vitin e ri akademik të jenë mbi 9300 kuotat e pranimit për sistemin me kohë të pjesshme, që do të thotë 940 kuota më shumë se vjet, ose një shtim i tyre me 8%. Si gjithmonë, edhe për këtë sistem studimi, pjesa më e madhe kuotave do të jenë për Universitetin e Tiranës, rreth 3 mijë të tilla, kjo jo vetëm për mundësitë më të mëdha që ai ofron për part-time, por edhe për shkak të kërkesave në rritje të të rinjve. Ndërsa pjesa tjetër e kuotave të pranimit do të jetë pothuajse e ndarë në mënyrë të barabartë me nga rreth 1 mijë kuota për Universitetin Bujqësor dhe po kaq edhe për universitetet e rretheve, si: Elbasani, Gjirokastra, Korça, Shkodra, Durrësi. Sakaq, ekspertët e arsimit shpjegojnë se arsyeja e shtimit të kuotave në part-time është rritja e kërkesave për të vijuar studimet me këtë sistem. Sipas propozimit të bërë nga institucionet e arsimit të lartë, në Universitetin e Tiranës më shumë mundësi studimi për part-time do të ketë Fakulteti i Histori-Filologjisë. Shefi i Kurrikulave të Arsimit të Lartë në Ministrinë e Arsimit, Albano Zhapaj, thotë se rritja e numrit të kuotave do të jetë për shqiptarët nga trojet dhe të huajt që do të vijnë të studiojnë në Shqipëri. Sikurse kuotat, në vitin e ri akademik, për sistemin me kohë të pjesshme do të ndryshojnë edhe tarifat e studimit që pritet të pësojnë rritje. Propozohet që tarifat të rriten me 4% nga ato ekzistuese. Për herë të parë këtë vit, për maturantët që duan të vazhdojnë studimet part-time, kriter do të jetë zotërimi i Diplomës së Maturës, që nënkupton rezultate pozitive në të katër provimet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›