E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditë konsumatore kthehen në “gropën e zezë” të bankave



Dosjet
Me objekt padie “Urdhër ekzekutimi”, bankat e të gjitha niveleve që operojnë në kryeqytet i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës për të rimarrë paratë. Qindra kredi të pashlyera në afatin kohor, përpos shumës që duhet të paguhej, u janë shtuar dhe interesat apo dëmet që u janë shkaktuar bankave për moskthimin në kohë. Sipas statistikave zyrtare të Gjykatës së Tiranës, vetëm në një ditë numërohen rreth 10 padi të tilla që depozitohen për t’iu nënshtruar procesit të shortit. Padia nga ana e bankës shoqërohet edhe me informacione të tjera, që e njohin gjyqtarin që do të gjykojë me shkeljet e klientëve dhe shumën që i detyrohen bankës. Për një pjesë prej këtyre padive gjykata është shprehur me vendim. Për ato dosje që është pranuar kërkesa, kanë nisur procedura të mëtejshme që ndiqen zakonisht në këto raste. Për ato që janë pushuar, paditë janë nisur nëpër shkallët e tjera të Gjyqësorit, derisa të marrin formën e prerë.

Si i ekzekuton kreditë e këqija Përmbarimi

Dhjetëra dosje të kredive të pashlyera prej disa kohësh kanë përfunduar në Zyrën e Përmbarimit për ekzekutim. Pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës për shlyerjen e detyrimit të qytetarit ndaj bankës urdhërohen përmbaruesit për ekzekutimin e tyre. Me mbërritjen e dosjeve në Përmbarim, fillimisht kryetari bën ndarjen e tyre nëpër përmbarues. Më tej nisin procedurat e tjera ku në bazë të adresave që janë dhënë nis kontakti me qytetarin që në këtë rast nuk ka qenë korrekt me shlyerjen e kredive. Sipas burimeve nga Përmbaruesi për ato raste kur qytetarët nuk duan të paguajnë, atëherë nis sekuestrimi e objekteve shtëpiake në varësi të borxhit që ata kanë. Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesat e bankave për rikthimin e parave për kreditë e pashlyera. Për të gjithë këto dosje është dhënë urdhër që të dërgohen në Zyrën e Përmbarimit të Tiranës për ekzekutim të mëtejshëm. Bankat e të gjitha niveleve në vend kanë depozituar qindra padi kundër klientëve të tyre për mosshlyerje të kredive. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan se rrallëherë më parë është vënë re një vërshim i bankave në gjykatë për të rimarrë paratë bashkë me interesat që u janë dhënë.

Mbingarkesa, gjyqtarët ankohen ndaj padive për kreditë e këqija

Statistikat gjithmonë kanë treguar se një gjyqtar i Gjykatës së Tiranës gjykon në një vit sa totali i dosjeve që mund të gjykojë një gjykatë në një rreth të vendit. Mirëpo gjatë muajve të fundit, këto statistika janë rënduar edhe më tej. Shkak janë bërë paditë e depozituara nga bankat e nivelit të dytë për kreditë e këqija. Fluksi i këtyre padive u ndje edhe në pjesën e dytë të vitit të kaluar, por në këto muaj po dyfishohen. Gjyqtarët tregojnë se këto dosje po krijojnë një kaos edhe për çështjet e tjera për shkak se ato kanë mangësi në të dhënat që paraqesin bankat dhe gjykimi për këto kërkesa vijon për javë me radhë. Sipas tyre, një ditë pune për ta mund të përfshijë më shumë se 10 procese, nga të cilat jo të gjitha mund të zhvillohen po brenda kësaj dite. Përveç mungesës së zakonshme të palëve në proces, zgjatja e një procesi më shumë se ç’ishte parashikuar shkakton shtyrjen e të gjitha orareve të përcaktuara. Kalendari i gjyqeve për ta është tepër i ngarkuar, duke qenë se janë në pritje dhjetëra dosje që zënë vend nëpër tavolinat e gjyqtarëve civil.

Kreditë e këqija për vitin 2009, bilanci i bankave shkon në 472 milionë dollarë

Bankat në vend megjithëse e kanë përmirësuar disi situatën e tyre financiare në tremujorin e fundit të vitit 2009, kanë rezultuar me një portofol të kredive të këqija që shkon në 472 milionë dollarë amerikanë. Muajt e fundit të vitit 2009 tregojnë për një stacionim të kredisë së keqe, tashmë në disa vlera që nuk janë pa pasoja, por që mbeten ende larg rrezikut të besueshmërisë së bankave. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, për muajin dhjetor të vitit 2009, huaja e keqe ka mbërritur në 10.5 për qind të portofolit total të bankave të nivelit të dytë. Por, pavarësisht se këto hua nuk mund të quhen të humbura, pasi ato janë të mbuluara me provigjone, rritja me ritme të shpejta e kredive toksike rrit riskun e sistemit bankar. Referuar raportit statistikor të BSH-së, në fund të vitit 2007 treguesi i kredive të këqija ishte 3.31 për qind e portofolit, ose në vlerë absolute, 97.2 miliardë lekë të vjetra, ose rreth 97 milionë dollarë (me kursin aktual të këmbimit). Për sa i përket treguesit në përqindje, vihet re një trefishim të kredisë së keqe në harkun kohor të një viti. Rritja e kredisë së keqe në vlerë absolute në harkun kohor të një viti në sistemin bankar shqiptar është më shumë se 500 për qind.

8 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›