Universitetet evropiane dhe reformimi
Vëzhgimet e kryera kohët e fundit i vendosin universitetet amerikane para atyre evropiane.
Përballë konkurrencës edhe nga Kina, Evropa ka vënë si afat përfundimtar vitin 2010 për të rritur standardet.
Po çfarë duhet bërë për të siguruar kurse më të mira dhe studentë më të mirë?
Arritja e rezultateve më të mira, gradës së parë është çfarë duhet të ofrojnë shkollat?! Por jo domosdoshmërish.
Në disa vende në Evropë është e kundërta. Profesoresha Alison Wolf nga Kings College në Londër thotë:
"Ideja ka qenë që të gjitha universitetet duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, se ata në mënyrë substanciale duhet të jenë të njëjtë dhe të shihen si të njëjtë dhe nëse e bën këtë në një botë ku një numër i madh njerëzish duan të shkojnë në universitete, atëherë ti do të mbetesh me një opsion që është se nëse ata do të jenë të të njëjtit nivel, atëherë ata do të jenë njësoj, në një nivel tepër të ulët".
Ajo thotë se shumë nga kjo ka të bëjë me mënyrën se si është vendosur sistemi.
Qeveritë në shumë vende në Evropë kanë dashur kontroll të drejtpërdrejtë të drejtimit të universiteteve.
Dhe aksesi për arsimim të lartë është konsideruar më tepër si e drejtë sesa si privilegj.
Në shumë vende, një certifikatë që tregon se ke mbaruar shkollimin është për çfarë ke nevojë.
Në Amerikë, standardet mund të jenë më të larta, pasi studentët duan të shkojnë në universitetet më të mira.
"Unë jam amerikane dhe besoj në konkurrencë. Kjo është çka e ka bërë këtë vend kaq të madh. Ne besojmë se është forcë e fuqishme për të rritur nivelin dhe cilësinë e çfarëdo produkti tënd", - na thotë Molly Broad, presidente e Këshillit Amerikan për Arsimim.
Por qëndrimi në Evropën kontinentale gradualisht po ndryshon, dhe në disa vende është një farë inkurajimi për kontroll më të madh të universiteteve nga universitetet.
Por siç kanë parë disa shtete si Gjermania, kjo gjë nuk është e lehtë. Profesoresha Alison Wolf:
"Një numër shtetesh që po reformohen, ishin tërësisht të bindur se ata duhet të kishin mundësi të vendosnin tarifa dhe gradualisht të fillonin të ndryshonin kërkesat e pranimit për të marrë më shumë të ardhura dhe burime për të lejuar që universitetet që janë vërtet të mira të zhvillohen. Por kjo ka qenë shumë e vështirë për t'u bërë pasi në sistemin gjerman është krijuar edhe ideja se nëse siguron Abitur-in tënd, atëherë ti duhet të lejohesh të shkosh te cilido universitet për të studiuar çdo gjë".
Ajo vë në dukje dhe Italinë, vendi që ka sistemin më të vjetër të ekzistencës së universiteteve në Evropë, Bolonjën, si një vend tjetër që ka nevojë për reforma:
"Ajo çka është interesante atje është se po zhvillohet një sistem i dytë i rritjes, pra ka universitete private përkrah universiteteve të sektorit publik, pasi është shumë e vështirë t'i reformosh këto të fundit".
Adresimi i problemit të universiteteve që nuk japin rezultate të duhura ka qenë në agjendën e BE-së për afro një dekadë.
Në vitin 2000, në kulmin e zhvillimit të com, BE-ja vendosi të ketë axhendën e Lisbonës, qëllimi i të cilës është që Evropa të kthehet në ekonominë më dinamike dhe konkurruese me bazë dijen në botë deri në vitin 2010.
Kur ka mbetur edhe një vit e gjysmë, gjërat nuk duken shumë premtuese.
David Crosier nga shoqatat e Universitetit Evropian thotë se qeveritë mund të thonë se vlerësojnë arsimimin, por nuk ka financime të duhura në mënyrë kronike:
"Problemi është se financimi total është i pamjaftueshëm për nevojat dhe objektivat që janë vënë. Kështu që unë mendoj se çështja së pari është: A ka para të mjaftueshme që po çohen drejt këtij sistemi? Së dyti, a po përdoren paratë në mënyrë efektive? Unë jam i mendimit se në të dyja rastet ka ende vend për përmirësim të konsiderueshëm".
Natyrisht, SHBA-ja shpenzon më shumë nga buxheti i vendit për arsimimin e lartë krahasuar me vendet e tjera të BE-së.
Amerikanët i kushtojnë 2.7% sistemit, ndërsa mesatarisht qeveritë e BE-së shpenzojnë 1.2%.
Komisioni Evropian po inkurajon që shifra të rritet me të paktën 2% dhe kjo duhet të ndodhë sa më shpejt, sipas David Crosier.
Pjesa më e madhe e universiteteve në Evropë kanë tarifa për studentët dhe shumë të tjera ndjekin edhe financime private.
Universitetet elitare të Britanisë p.sh. janë veçanërisht të interesuara për të siguruar sa më shumë fonde që të jetë e mundur jashtë përkrahjes së shtetit.
Në maj, Universiteti i Oksfordit, që është në numrin dy të renditjes së universiteteve në botë, lançoi fushatën më të madhe të parë ndonjëherë jashtë SHBA-së për sigurim fondesh.
Ai po përpiqet të sigurojë 3 miliardë dollarë për të siguruar të ardhmen.
Ata tashmë janë në gjysmë të shifrës dhe kjo fushatë po shihet me admirim dhe aprovohet dhe nga universitetet e tjera britanike.
Megjithëse financimet e tjera nuk duhet që kurrë të zëvendësojnë financimin qeveritar, pedagogu Michael Arthur nga Universiteti i Leeds-it shton se pa donacione, Britania nuk do mund të konkurrojë me universitetet në Azi, veçanërisht në Kinë, ku investimi është i jashtëzakonshëm.
"Ata po investojnë në doktoraturë apo studime pasuniversitare. Ata po i ofrojnë këto doktoratura edhe në universitetet partnere si yni, pasi ata vërtet e shohin arsimimin e lartë si pjesë kyçe të zhvillimit të ekonomisë dhe natyrisht në Kinë p.sh. ata duan që t'ia kalojnë dhe SHBA-së, prandaj janë kaq seriozë për këtë gjë".
Nëse do të flasim për renditjen e gjërave, atëherë Amerika duket se po i bën gjërat si duhet.
Pra, çfarë mund të mësojë Evropa nga SHBA-ja? Molly Broad e Këshillit Amerikan për Edukim:
"Faktorët si autonomia e institucioneve, iniciativat taksore që përkrahin filantropinë dhe investimi në kërkime, të gjithë janë përbërës kritikë të cilësisë së universiteteve në Amerikë".
Pra, për sa i përket aksesit të arsimit të lartë duket se SHBA-ja dhe Azia janë në krye për momentin. Por profesoresha Alison Wolf thotë se që të përmirësohet cilësia e arsimit të lartë, duhet që qeveritë të lejojnë universitetet të ndërmarrin vendimet e tyre për sa u përket kurseve, akademikëve dhe studentëve.
Evropa po përpiqet të arrijë objektivin që të bëhet ekonomia më dinamike dhe më krijuese në botë.
Pyetja është: A do të mundet që konkurrenca që ka me universitetet në SHBA dhe Azi të jetë e mjaftueshme për t'i dhënë inkurajimin që duhet?