E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha përmirëson qeverinë para zgjedhjeve

Ndoka: Vazhdoj të jem ministër Shëndetësie

Beja tek Arsimi, e Godo te Shëndetësia

Kryeministrin Sali Berisha ka vendosur të përmirësojë përbërjen dhe performancën e qeverisë së tij vetëm një vit para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Duke synuar një kabinet më të fortë dhe duke rikthyer në qeverisje republikanët z. Berisha nisi dje bisedimet për rikompozimin e kabinetit qeveritar, ndërkohë që negociatat vazhdojnë për të tjera ndryshime deri në dorëzimin e dekreteve tek Presidenti. Me lëvizjet e reja të Kryeministrit, të katërtat që nga marrja e mandatit, Genc Pollo detyrohet të lërë postin e ministrit të Arsimit për të marrë detyrën e zëvendëskryeministrit. Ikja e Pollos dhe ardhja e një demokrati në vend të tij tregon rëndësinë që Berisha i ka dhënë këtij sektori, të cilin e ka shpallur si prioritet të qeverisjes së tij. Mësohet se Pollo ka pranuar dje gjatë takimit të zhvilluar me z. Berisha propozimin për numrin 2 të Këshillit të Ministrave duke u bërë kështu zv.Kryeministri i ri, por pa portofol ministror. Vendin e tij në Ministrinë e Arsimit pritet ta zërë Fatos Beja, aktualisht nënkryetar i Kuvendit dhe kryetar i Komisionit të Ligjeve. Por një tjetër ndryshim, i cili u bë shkak për riformatimin e qeverisë, vajza e politikanit të njohur republikan, Sabri Godo, Anila, është propozuar për postin e ministrit të Shëndetësisë. Situata mbetet e paqartë për demokristianët, të cilët kanë mbetur të befasuar nga mungesa e komunikimit me kreun e qeverisë. Nard Ndoka pohoi dje se vazhdon të jetë ministër i shëndetësisë dhe se nuk është në dijeni të këtyre lëvizjeve. Madje, ai shtoi se lajmin për zëvendësimin e tij tek Ministria e Shëndetësisë e ka marrë vesh nga mediat dhe televizionet. Por kjo deri pasditen e mbrëmshme kur Kryeministri Berisha thirri në një takim ministrin aktual, Ndoka, në zyrën e tij. Ende nuk dihet nëse Ndokës do t’i besohet një tjetër vend në kabinet pas largimit nga shëndetësia, por që duket se edhe shanset për të marrë Ministrinë e Kulturës mbeten zero. Kjo, për faktin se flitet emri i aleancistit Neritan Ceka, i cili mund të zëvendësojë Ylli Pangon tek Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Një tjetër mundësi mbetet ajo e Ministrisë së Bujqësisë për zhvendosjen e demokristianëve, por që ende nuk ka asgjë konkrete në këtë rast. Nga ana tjetër mbetet në pikëpyetje vendi që do lërë bosh Fatos Beja dhe bëhet fjalë për postin e nënkryetarit të Kuvendit. Kjo do të varet nga lëvizjet e mëtejshme të kreut të qeverisë, gjë e cila do të saktësojë dhe vendin e demokristianëve pas dorëzimit të ministrisë që mbanin, tek republikanët e Fatmir Mediut.

Ndryshimet

Ministria e Shëndetësisë ikën Nard Ndoka vjen Anila Godo e PR-së

Ministria e Arsimit ikën Genc Pollo vjen Fatos Beja

Zv.Kryeministër Genc Pollo

Në pikëpyetje posti i ri për Nard Ndokën

Neritan Ceka kandidat për Ministrinë e Kulturës

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›