Shkolla verore për fëmijët e periferisë së Tiranës
Janë 10 shkolla 9-vjeçare që përfitojnë nga projekti “Të mësojmë duke vepruar”, i cili është miratuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës ditën e enjte. 1600 nxënësit që frekuentojnë këto shkolla vijnë nga familje të zonave periferike me probleme social-ekonomike me një gjeografi që përfshin Shkozën, Saukun, Kinostudion, Kombinatin, Don Boskon, Kodër-Kamzën, Bregun e Lumit dhe Laprakën.
Qëllimi i projektit është integrimi dhe argëtimi i fëmijëve me probleme social-ekonomike në mbrojtje të të drejtave të tyre. Projekti synon të nxisë të mësuarin nëpërmjet lojërave, ekskursioneve dhe aktiviteteve sportive artistike.
Në çdo shkollë do të ketë një staf prej 10 punonjësish, 8 prej të cilëve do të jenë arsimtarë. Aktivitetet do të zhvillohen nëpërmjet ndarjes në grupe prej 15-20 fëmijësh të quajtura klube, si p.sh. klubi i qytetarisë, i mjedisit, i kulturës dhe i pikturës sipas dëshirave të fëmijëve. Aktivitetet do të zgjasin 4 orë në ditë, nga e hëna në të premte dhe pritet të fillojnë gjatë ditëve të ardhshme.
Projekti “Të mësojmë duke vepruar” arrin një shumë prej 3,6 milion lekësh nga fondi i projekteve sociale të Bashkisë së Tiranës.
Shkollat që përfitojnë nga projekti:
1. Bajram Curri
2. Kolë Jakova
3. Kushtrimi i Lirisë
4. Shyqyri Peza
5. Hasan Vogli
6. Gjon Buzuku
7. Isa Boletini
8. Ibrahim Brahja
9. Qazim Turdiu
10. 28 Nëntori