Universitetet, gjuhët e huaja koeficientet më të lartë
Maturantët që kanë përcaktuar si lëndë me zgjedhje gjuhët e huaja, dhe si degë do të zgjedhin po një gjuhë të huaj, do të jenë më të favorizuar për të zënë një vend në auditorët e universiteteve. Krejt ndryshe nga situata që krijohet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, për garën e pranimeve në universitete, gjuhët e huaja janë mjaft të rëndësishme për të fituar një të drejtë studimi dhe kjo për vetë faktin se koeficientet për këto lëndë me zgjedhje, me të cilët do të bëhet përllogaritja e pikëve janë më të lartë, krahasuar me degët e tjera. Në fakt, vlerësimi i gjuhëve të huaja me koeficiente më të lartë se lëndët e tjera është një taktikë që Ministria e Arsimit e ka përdorur çdo vit për pranimet në universitete. Ndërkaq, këtë vit, si lëndë me zgjedhje maturantëve u janë ofruar pesë gjuhë të huaja, si lëndë me zgjedhje nga tri që kanë qenë fillimisht. Kështu, 5 gjuhët e huaja që janë futur në listën e lëndëve me zgjedhje për Maturën 2001 janë: Anglisht, Frëngjisht dhe Italisht, Gjermanisht dhe Spanjisht. Këto dy të fundit janë shtuar për herë të parë si lëndë me zgjedhje në Maturën 2009. Çdo vit, maturantëve që kanë dhënë si lëndë me zgjedhje anglishten kanë pasur më shumë mundësi për t’u shpallur fitues në universitete. E njëjta mundësi do t’u jepet maturantëve edhe për këtë vit, jo vetëm për këtë gjuhë, por për të pesta. Kjo për arsye se të gjitha degët e fakulteteve publike, përveç lëndëve të profilit të tyre kanë vlerësuar me koeficient të lartë gjuhët e huaja. Për shembull, Letërsia përveç lëndëve të tjera shoqërore ka koeficientuar edhe anglishten me 1.3, ndërsa lëndët natyrore me 1.0. Matematika, edhe pse degë natyrore, ka koeficientuar edhe anglishten me 1.3, ndërsa lëndët shoqërore me 1.0. Kjo do të thotë se kandidatët që kanë përzgjedhur anglishten si lëndë me zgjedhje, nëse dalin me rezultate të mira në këtë lëndë, kanë mundësi që pikët e tyre të koeficientohen me 1.3, duke arritur kështu një pikaverazh më të lartë.