Testimi 2011, gjysma e mësuesve në nivelin mirë
Gjysma e mësuesve që japin mësim në shkollat e arsimit parauniversitar janë në nivelin të mirë, ndërsa pjesa tjetër e gjysmës i përket më tepër nivelit shumë mirë, ekselent dhe dobët. Sipas të dhënave për testimin e mësuesve 2011, 2% e arsimtarëve që morën pjesë në kualifikimin 2011 është në nivelin ekselent, 35% është në nivelin shumë mirë dhe 53% e tyre është në nivelin mirë. Ndërsa kalueshmëria për vitin 2011 është në nivelin 98%. Në vitin 2011, krahasuar me tre vitet e fundit 2008- 2010, vihet re një rritje e nivelit shumë mirë dhe një rënie e nivelit dobët. Specialistët e arsimit shpjegojnë se krahasuar me vitet e tjera ka një rritje të nivelit ekselent me 1.6% dhe të nivelit shumë mirë me 15%, ndërkohë që ka një ulje në nivelin mjaftueshëm me 11% dhe në nivelin dobët me 0.76%. Sipas tyre, tashmë mësuesit janë të interesuar të njihen dhe të përditësohen me ndryshimet që ndodhin sot në fushën e edukimit si në aspektin metodik-pedagogjik, ashtu edhe në aspektin shkencor. Në datën 23 prill 2011 u zhvillua provimi i kualifikimit të mësuesve për vitin 2011. Provimeve të kualifikimit iu nënshtruan vetëm punonjësit e arsimit të cilët deri në datën 31 dhjetor të vitit 2010 plotësuan vjetërsinë 5, 10 dhe 20 vjet. Në vitin 2011 ishin 2795 mësues të të gjitha cikleve dhe drejtues të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme si kandidatë të regjistruar në DAR/ZA për të fituar kualifikimin, por 2786 prej tyre paraqitën dokumentacionin e kërkuar për portofolin dhe 2694 kandidatë u paraqitën në testim. Sipas të dhënave, rreth vetëm 2% e kandidatëve zotëronin gradën Master në fushën e edukimit, nga të cilët mbizotërojnë mësues nga Tirana dhe Shkodra. Zotërimi i diplomës Mastër është një nga kushtet themelore që kreu i Arsimit, Myqerem Tafaj, u ka kërkuar mësuesve në të gjithë vendin për të mbajtur vendin e punës. Në të kundërt, duke filluar nga viti 2013, sipas deklaratës së bërë nga vetë ministri Tafaj, në shkollat e vendit nuk do të japë mësim asnjë mësues pa master.