E Diel, 1 Nëntor 2026

Hipotekimi i apartamenteve, si do të merret certifikata e pronësisë

SHKRUAN: Jonida Tashi 23-09-2011 11:54

Nis procesi i hipotekimit të apartamenteve në Tiranë. Duke filluar nga muaji nëntor, mijëra qytetarë në kryeqytet, që prej vitesh banojnë në pallate të pahipotekuara, do të nisin të pajisen me certifikatë pronësie, pavarësisht shkeljeve që mund të ketë bërë ndërtuesi. Për t’i hapur rrugë nisjes së këtij procesi, të mbajtur peng prej një kohe të gjatë nga mosrakordimi i institucioneve përgjegjëse, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, nënshkroi dje një memorandum bashkëpunimi ndërmjet ministrit të Drejtësisë, Eduart Halimi, ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme në njësinë vendore Tiranë”, i cili do të bëjë të mundur zgjidhjen e problemit të hipotekimit të apartamenteve në kryeqytet. Memorandumi është një instrument ligjor që do të shërbejë për pajisjen me certifikatën e pronësisë të mijëra qytetarëve në Tiranë që jetojnë në banesa ende të pahipotekuara. Në fakt, hipotekimi i apartamenteve është një nga premtimet më të rëndësishme të kreut të Bashkisë së Tiranës, gjatë fushatës së tij elektorale, për të cilin kryebashkiaku Lulzim Basha po hedh hapa konkretë për të bërë realitet. Ndërkaq, në procesin e hipotekimit, Bashkia e Tiranës do të angazhohet në dhënien e lejeve të shfrytëzimit, çka është momenti më i rëndësishëm për pajisjen me certifikatën e pronësisë. Ndërkohë, memorandumi i nënshkruar është një dokument ligjor që garanton bashkëpunimin me pushtetin qendror, pika tjetër e rëndësishme e procesit të pajisjes me hipoteka. “Kemi nënshkruar një instrument shumë të rëndësishëm, për të realizuar një nga premtimet kryesore të Bashkisë së Tiranës, hipotekimin e të gjithë apartamenteve, ndërtesave, e banesave të pahipotekuara. Ky proces është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Tiranës. Së pari, i jep fund deprivimit të padrejtë nga titulli i pronësisë, të atyre mijëra familjeve që kanë paguar apartamentet ku jetojnë, në mirëbesim se këto apartamente të ndërtuara me leje nga Bashkia e Tiranës një ditë do të hipotekoheshin dhe do të regjistroheshin si pasuri e tyre, në emër të tyre, për të qenë më vonë instrumente financiare të ekonomisë së tyre. Së dyti, vetë qyteti është privuar nga një shumë 500 deri në 700 milionë euro, shumë kolaterali që përfaqësojnë këto apartamente të pahipotekuara, që sot janë thjesht tulla, beton, dritare dhe mobilie, por që nesër me përfundimin e këtij procesi do të jenë jo vetëm pasuri për qytetarët, e regjistruar në emër të tyre, por edhe një kolateral i fuqishëm në bankat e qytetit të Tiranës dhe një garanci për investime, për rritje ekonomike dhe punësim. Në këtë proces, Bashkia e Tiranës do të marrë përgjegjësitë e veta, çka mund të them se nuk e ka bërë për një kohë shumë të gjatë. Lejet e shfrytëzimit, me arsye dhe pa arsye, kanë mbetur peng i mungesës së vullnetit dhe i mungesës së ndjeshmërisë ndaj këtij problemi, mungesës së ndjeshmërisë për qytetarët e Tiranës”, - është shprehur kreu i baskisë, Lulzim Basha. Ndërsa ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, është shprehur se është shumë e rëndësishme që është vendosur bashkëpunimi mes bashkisë dhe qeverisjes qendrore për zgjidhjen e një problemi që është i trashëguar, shumëvjeçar dhe prek mijëra familje në Tiranë. “Ndryshimi thelbësor, substancial, i cili sot gjen një zgjidhje me këtë memorandum dhe jam i bindur që me gatishmërinë e të gjitha institucioneve të përfshira në këtë memorandum, të ministrive, bashkisë dhe institucioneve që janë në varësi të ministrive të linjës, do të bëhet i mundur hipotekimi i pasurisë së mijëra qytetarëve të Tiranës në një kohë shumë të shkurtër, duke i dhënë një zgjidhje përfundimtare problemit”, - ka pohuar Olldashi. Edhe ministri i Drejtësisë e ka vlerësuar këtë bashkëpunim, pasi, sipas tij, ndonëse është detyrë e ZRPP që të pajisë qytetarët me aktet e pronësisë, kjo deri më sot ishte e pamundur, pa hequr të gjitha barrierat ndaj ZRPP dhe qytetarëve, për të finalizuar projektin e hipotekimit të apartamenteve në Tiranës. “Sigurisht, ky proces i hap rrugën hartimit të një sërë aktesh nënligjore nga qeveria qendrore. Janë kryetari i bashkisë dhe Ministria e Drejtësisë, ZRRPP, që do të bëjnë të mundur implementimin e këtyre akteve nënligjore dhe finalizimin e procesit të regjistrimit të apartamenteve në Tiranë”. Megjithëse Bashkia e Tiranës ka barrën kryesore të ndalimit të hipotekimit në një numër shumë të madh rastesh, duke mos dhënë lejet e shfrytëzimit, Ministria e Drejtësisë (ZRPP) është hallka përfundimtare e këtij procesi.

Në Tiranë janë rreth 450 pallate të pahipotekuara dhe mbi 5700 shtesa pa leje në pallate. Basha: “Banorët që kanë blerë apartamentet e tyre në këto pallate, nuk do të deprivohen nga e drejta e tyre për të pasur titullin e pronësisë”

Pallatet që kanë devijuar nga projekti, duke bërë shtesa jo të programuara, janë kategoria më problematike për t’u pajisur me certifikatën e pronësisë. Por, me gjithë këtë fakt, kreu i Bashkisë së Tiranës ka deklaruar se hipotekën do ta marrin edhe ata qytetarë që jetojnë në këto banesa. “Kjo është kategoria problematike me të cilën merret ky memorandum dhe aktet e tjera që po hartojmë në Bashkinë e Tiranës dhe që do të hartohen dhe nga qeverisja qendrore. Parimi i zgjidhjes është ky: banorët që kanë blerë apartamentet e tyre në këto pallate dhe që s’kanë absolutisht asnjë përgjegjësi për shkeljen nga zhvilluesi apo ndërtuesi, nuk do të deprivohen më nga e drejta e tyre kushtetuese dhe ligjore për të pasur titullin e pronësisë. Ne do të ndajmë në këtë proces të drejtën e patjetërsueshme të banorëve për ta pasur certifikatën e regjistrimit, hipotekën e tyre, nga përgjegjësitë e zhvilluesit, përgjegjësi e cila do të shkarkohet natyrisht nëpërmjet ligjeve në fuqi dhe akteve nënligjore që do të hartojmë së bashku. Mendoj që procesi ka filluar tashmë dhe përgatitja për të dhënë aktet e regjistrimit ka filluar që në ditët e para në Bashkinë e Tiranës në komunikim edhe me Ministrinë e Drejtësisë, të Punëve Publike dhe Transportit, ALUIZNI-n, në ato aspekte që i takojnë kësaj agjencie”, - ka sqaruar kreu i bashkisë, Lulzim Basha. Më tej, ai ka bërë të ditur se në Bashkinë e Tiranës po përfundon procesi i evidentimit të rasteve kur bashkia është drejtpërdrejt përgjegjëse për mosdhënien e lejeve të shfrytëzimit në një kohë të gjatë dhe sipas kategorive, sepse ka disa kategori të ndryshme që do të kenë trajtim të ndryshëm sa i përket hipotekimit, por me të njëjtin rezultat. “Ky proces do të nisë jo më vonë se java e dytë e muajit nëntor dhe besoj se do të jemi në kohë për ta përmbyllur procesin brenda fazave të tij, pavarësisht shtyrjes që diktoi procesi i zgjatur elektoral. Çdo pretendim për të kryer ndërhyrje drastike, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndërtesa shumëkatëshe, do të ishte jo realist, por ne, Bashkia e Tiranës, duke mbrojtur interesin publik, në çdo rast do kërkojmë përgjegjshmërinë dhe përgjegjësinë e plotë të atyre që kanë bërë këto shkelje, por kjo në asnjë moment nuk do të ndalojë procesin e hipotekimit të banorëve që jetojnë në këto pallate”, - është shprehur Basha. Në Tiranë janë rreth 450 pallate të pahipotekuara dhe mbi 5700 shtesa pa leje në pallate. Memorandumi i bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve Publike, pritet t’i hapë rrugën certifikimit të pronës të këtyre objekteve. Dokumenti i nënshkruar përcakton detajet dhe rrugën për të legalizuar këto pasuri të paluajtshme. Së pari, Bashkia e Tiranës do të evidentojë kërkesat dhe objektet që u mungon leja e shfrytëzimit. Lista e këtyre objekteve do t’i dërgohet Ministrisë së Drejtësisë, e cila nëpërmjet Zyrës së Regjistrimit të Pasurive do të identifikojë të gjithë problematikën e kërkesave që kanë ngelur pezull. Pas kësaj, urdhërohet regjistrimi i pasurisë dhe dërgimi me postë i certifikatës së pronësisë. Zyrat hipotekore, pasi të lëshojnë certifikatën e pronës, kanë për detyrë që të raportojnë në Ministrinë e Financave rastet kur ndërtuesit nuk kanë paguar detyrimet tatimore, me qëllim që të nisë vjelja e tyre. Detyrë tjetër është që të dhënat për objektet e regjistruara t’i dërgohen dhe Ministrisë së Punëve Publike dhe ALUIZN-it. Memorandumi ka si qëllim kryesor që qytetarët të pajisen me certifikatat e tyre të pronësisë. Devijimi nga leja e ndërtimit, problemet me pagesën e tatimeve dhe mosdeklarimi do të shmangen dhe do të bëhet regjistrimi i objekteve. Në memorandum nuk jepen afate për regjistrimin e pronave, por përcaktohet që brenda 10 ditëve nga nënshkrimi, tre institucionet të përcaktojnë personin përgjegjës për këtë proces.

Memorandumi i bashkëpunimit, detyrat e tre institucioneve

Detyrat e veçanta të Ministrisë së Drejtësisë

1. Në rastet kur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë ka pezulluar kërkesat për regjistrim apo ka kufizuar veprimet mbi pasuritë e paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se mungon leja e shfrytëzimit, Ministria e Drejtësisë merr përsipër të:

i.Mbledhë dhe evidentojë, nëpërmjet ZRPP-së, të gjitha rastet e kërkesave për regjistrim të kësaj kategorie të paraqitura pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë.

ii.Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë.

iii.Kërkojë regjistrimin e tyre rast pas rasti nga ZRPP, pas pajisjes me leje shfrytëzimi nga Bashkia Tiranë.

iv.Dërgojë te pronari i pasurisë, nëpërmjet ZRPP-së, certifikatat e pronësisë mbi këto pasuri të paluajtshme.

v.Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë.

2. Në rastet kur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se dokumentet kanë mospërputhje dhe në vijim, kërkuesi i regjistrimit ka filluar procedurën për marrjen e lejes së legalizimit nga ALUIZNI, Ministria e Drejtësisë merr përsipër të:

i.Mbledhë dhe evidentojë, nëpërmjet ZRPP-së, ato raste që ka dijeni të kërkesave për regjistrim të kësaj kategorie të paraqitura pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë.

ii.Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara pranë ALUIZNI-t nëpërmjet Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit.

iii.Kërkojë regjistrimin e tyre rast pas rasti nga ZRPP, pas pajisjes së tyre me leje legalizimi nga ALUIZNI.

iv.Dërgojë te pronari i pasurisë, nëpërmjet ZRPP-së, certifikatat e pronësisë mbi këto pasuri të paluajtshme.

v.Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë dhe Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit.

3. Në rastet kur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se mungon dokumenti i shlyerjes së detyrimeve tatimore, Ministria e Drejtësisë merr përsipër të:

i.Mbledhë dhe evidentojë, nëpërmjet ZRPP-së, të gjitha rastet e kërkesave për regjistrim të kësaj kategorie të paraqitura pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë.

ii.Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara pranë Ministrisë së Financave dhe strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë.

iii.Kërkojë regjistrimin e tyre rast pas rasti nga ZRPP.

iv.Dërgojë te pronari i pasurisë, nëpërmjet ZRPP-së, certifikatat e pronësisë mbi këto pasuri të paluajtshme dhe të njoftojë administratën tatimore, nëpërmjet Ministrisë së Financave, për regjistrimin e pasurive për qëllime të mbledhjes së detyrimeve tatimore.

v.Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë dhe Ministrisë së Financave.

4. Në rastet kur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se të dhënat e lejes së ndërtimit nuk përputhen me të dhënat e lejes së shfrytëzimit, Ministria e Drejtësisë merr përsipër të:

i.Mbledhë dhe evidentojë, nëpërmjet ZRPP-së, të gjitha rastet e kërkesave për regjistrim të kësaj kategorie të paraqitura pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë.

ii.Analizojë përputhshmërinë e të dhënave të mbledhura nëpërmjet ZRPP-së me ato të dërguara nga Bashkia Tiranë.

iii.Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara pranë strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë.

iv.Kërkojë regjistrimin e tyre rast pas rasti nga ZRPP.

v.Dërgojë, te pronari i pasurisë, nëpërmjet ZRPP-së certifikatat e pronësisë mbi këto pasuri të paluajtshme.

vi.Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë.

5. Ministria e Drejtësisë merr përsipër, nëpërmjet strukturave të saj, të analizojë dhe hartojë projektet e akteve ligjore dhe nënligjore, në fushën e veprimtarisë së saj, të nevojshme për realizimin e qëllimit të këtij memorandumi.

Detyrat e veçanta të Ministrisë Transportit

1. Në rastet kur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se dokumentet kanë mospërputhje dhe në vijim, kërkuesi i regjistrimit ka filluar procedurën për marrjen e lejes së legalizimit nga ALUIZNI, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit merr përsipër të:

i.Mbledhë dhe evidentojë, nëpërmjet ALUIZNI-t, të gjitha rastet e kërkesave për regjistrim të kësaj kategorie të paraqitura pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë.

ii.Analizojë përputhshmërinë e të dhënave të mbledhura nëpërmjet ALUIZNI-t me ato të dërguara nga Ministria e Drejtësisë dhe Bashkia Tiranë.

iii.Finalizojë, nëpërmjet ALUIZNI-t procesin e legalizimit të këtyre pasurive.

iv.Dërgojë, nëpërmjet ALUIZNI-t për regjistrim këto pasuri pas pajisjes së tyre me leje legalizimi, duke njoftuar Ministrinë e Drejtësisë dhe Bashkinë Tiranë.

v.Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Bashkinë Tiranë.

2. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit merr përsipër, nëpërmjet strukturave të saj, të analizojë dhe hartojë projektet e akteve ligjore dhe nënligjore, në fushën e veprimtarisë së saj, të nevojshme për realizimin e qëllimit të këtij memorandumi.

Detyrat e veçanta të Bashkisë Tiranë

1. Në rastet kur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë ka pezulluar kërkesat për regjistrim apo ka kufizuar veprimet mbi pasuritë e paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se mungon leja e shfrytëzimit, Bashkia Tiranë merr përsipër të:

i.Mbledhë dhe evidentojë të gjitha rastet e përfunduara me leje ndërtimi, për të cilat nuk është dhënë leja e shfrytëzimit;

ii.Analizojë përputhshmërinë e të dhënave të mbledhura me ato të dërguara nga Ministria e Drejtësisë;

iii.Shqyrtojë dhe lëshojë lejet e shfrytëzimit rast pas rasti në përputhje me legjislacionin në fuqi, për pasuritë që nuk vepron legjislacioni mbi legalizimet e ndërtimeve informale;

iv.Dërgojë rast pas rasti për regjistrim në ZVRPP Tiranë lejet e shfrytëzimit të lëshuara;

v.Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë.

2. Në rastet kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se dokumentet kanë mospërputhje dhe në vijim, kërkuesi i regjistrimit ka filluar procedurën për marrjen e lejes së legalizimit nga ALUIZNI, Bashkia Tiranë merr përsipër të:

i.Mbledhë dhe evidentojë të gjitha rastet, për të cilat është kërkuar leje legalizimi.

ii.Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara pranë ALUIZNI-t nëpërmjet Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, të cilat janë depozituar për legalizim pranë ALUIZNI-t sipas afateve ligjore.

iii.Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë dhe Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit.

3. Në rastet kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se mungon dokumenti i shlyerjes së detyrimeve tatimore, Bashkia Tiranë merr përsipër të:

i.Mbledhë dhe evidentojë të gjitha rastet për të cilat dokumentacioni tekniko ligjor i ndërtimit është i plotë, por regjistrimi nuk është kryer nga ZVRPP Tiranë kërkesave për regjistrim të kësaj kategorie të paraqitura pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë.

ii.Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara pranë strukturës përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë.

iii.Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave.

4. Në rastet kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se të dhënat e lejes së ndërtimit nuk përputhen me të dhënat e lejes së shfrytëzimit, Bashkia Tiranë merr përsipër të:

i.Mbledhë dhe evidentojë të gjitha rastet e kërkesave për regjistrim të kësaj kategorie të paraqitura pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë.

ii.Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara pranë strukturës përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë.

iii.Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë.

5. Bashkia Tiranë merr përsipër, nëpërmjet strukturave të saj, të analizojë dhe hartojë projektet e urdhëresave, vendimeve dhe urdhrave të nevojshme për realizimin e qëllimit të këtij memorandumi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›