E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha; Furnizimi me ujë, të gjenden zgjidhje afatgjata



Furnizimi me ujë në qytetin e Tiranës dhe Durrësit prej kohësh ka sjellë shqetësime për qytetarët. Për t’i dhënë zgjidhje këtij shqetësimi, Kryeministri Berisha mblodhi në një takim Grupin e Punës për zgjidhjen e problemeve të furnizimit me ujë të zonës Tiranë–Durrës. Kryeministri Berisha kërkoi që të veprohet me shpejtësinë më të madhe të mundshme për zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë, një nga drejtimet kryesore të programit qeverisës në katër vitet e ardhshme

Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u mblodh Grupi i Punës për zgjidhjen e problemeve të furnizimit me ujë të zonës Tiranë–Durrës, i cili përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Brendshme dhe përfaqësues të drejtorive, që kanë lidhje me sektorin e Ujësjellës-Kanalizimeve. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha kërkoi që të veprohet me shpejtësinë më të madhe të mundshme për zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë, një nga drejtimet kryesore të programit qeverisës në katër vitet e ardhshme. “Ky takim zhvillohet pasi Grupi i Punës ka disa kohë që punon dhe tashmë duhet të vijmë në një përfundim, në mënyrë që të kalojmë në veprim me shpejtësinë më të madhe të mundshme për një problem themelor, për një nga drejtimet kryesore të programit tonë në katër vitet e ardhshme, zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë”, - u shpreh Kryeministri. Më tej, u procedua me prezantimin e propozimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizime, si dhe të ekspertëve të fushës, të cilët sigurojnë përmirësimin e furnizimit me ujë të zonës Tiranë-Durrës-Kavajë që në vitin 2010. Në përfundim të diskutimeve, Kryeministri Berisha kërkoi që për secilin nga variantet e propozuara të përcaktohen afatet kohore të realizimit të këtyre veprave, sigurimi i qëndrueshmërisë së zgjidhjeve të ofruara, kostot e ndërtimit, si dhe ato të operimit, mbi bazën e të cilave do të merret vendimi përfundimtar. Bazuar në vendimin e marrë, do të procedohet me përfshirjen e këtyre investimeve në buxhetin e shtetit të vitit 2010, për të nisur sa më parë me zbatimin. Gjithashtu, Kryeministri vuri në dukje se paralelisht me furnizimin me ujë të këtyre zonave, duhet të punohet paralelisht për t’i dhënë zgjidhje edhe problemit të vaditjes, pasi zgjidhjet e dhëna për furnizimin me ujë nuk do të rezistonin gjatë. Për këtë arsye, Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Bujqësisë të shohë me përparësi këtë çështje.

Në këtë takim u bënë disa propozime. Kështu, për Tiranën u propozua për ruajtjen e burimeve, veçanërisht puseve, nga ndotja; rritjen e kapaciteteve depozituese, si dhe ndërhyrjet e menjëhershme në zonat periferike, të konsideruara deri më sot “informale”, me qëllim zgjidhjen definitive të furnizimit të tyre me ujë të pijshëm. Po kështu u propozua të realizohen skema alternative të rrjetit shpërndarës, për të furnizuar zona të rrezikuara nga mungesa e ujit, si dhe realizimin e një studimi mbi bilancin faktik të ujit, me qëllim vlerësimin e konsumit aktual dhe përcaktimit të nevojave për të ardhmen, bazuar në planet urbanistike afatmesme/afatgjata të njësive vendore. Bazuar në këtë bilanc do të vijohet me shtesën e sasisë se ujit në rast se do të ketë nevojë.

Për Durrësin dhe Kavajën u propozua reduktimi i humbjeve, ndërtimi i depove dhe rrjetit shpërndarës për zonat rurale, si dhe shtimi i sasisë së ujit nëpërmjet burimeve shtesë nëntokësore apo sipërfaqësore. Burimet e marra në studim dhe të paraqitura në këtë takim ishin: shtimi i sasisë së ujit nga pus-shpimet e Rrogozhinës që do të shërbejnë për përmirësimin e furnizimit të zonës Durrës-Kavajë; ndërtimi i linjës së re nga baseni Fushë Kuqe-Fushë Milot, që siguron furnizimin me ujë të kësaj zone deri në 2020, si dhe zgjidhja përfundimtare, ku propozimet ishin: burimet e Malit të Tomorrit, Skorana, Baseni Fushë Kuqe-Fushë Milot.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›