E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet propozojnë rritje për pranimet akademike 2009-2010

09/06/2009  Vetëm pranë UT-së do të akomodohen rreth 7 mijë studentë

Universiteti i Tiranës shton kuotat e pranimit për vitin e ardhshëm akademik 2009-2010. Sipas propozimeve të bëra për pranimet e reja, që do të dalin nga Matura Shtetërore e këtij viti, më shumë studentë do të kenë mundësinë që të akomodohen në auditorët e UT-së. Njëkohësisht, edhe pse nuk janë miratuar ende zyrtarisht kuotat, edhe universitetet e tjera, si ai Bujqësor, Politekniku dhe të tjera në rrethe, është pohuar se do të ofrojnë më shumë kuota pranimi për vitin e akademik. Sipas drejtuesve të arsimit të lartë, rritja e kuotave të pranimit është kushtëzuar edhe nga sigurimi i stafeve akademike si dhe hapësirave të reja të vëna në dispozicion për zhvillimin e procesit mësimor. Më shumë se 7 mijë maturantë do të kenë mundësinë që të ndjekin studimet e larta pranë fakulteteve përbërëse të UT-së. Sipas ndarjeve të propozuara në bazë të fakulteteve, numrin më të lartë të kuotave të pranimit janë propozuar për Fakultetin e Ekonomikut, ndërsa krahasuar me një vit më parë në Fakultetin e Mjekësisë do të ketë më pak pranime, për shkak se kjo e fundit nuk ka kapacitete për të pranuar më shumë. “Këtë vit do të pranojmë në UT një numër më të madh studentësh. Motivi është që nga pikëpamja e resurseve humane ne kemi të kompletuar numerikisht stafin pedagogjik me shtesat që erdhën pranë institucionit tonë, bazuar dhe në rekrutimet që u bënë gjatë vitit ekzistues akademik. Gjithashtu kemi në dispozicion një ambient shtesë, që i ka kaluar universitetit të Tiranës, që është ish-kinoklubi i Qytetit Studenti, i cili do të rikonstruktohet e do të bëhet gati për mësimdhënie në vitin e ri akademik. Besoj se këtë vit duhet të fillojë gjatë shtatorit ose tetorit, pasi të ketë përfunduar projekti i detajuar, shpresoj të filloje kampusi", - ka deklaruar rektori i UT-së Dhori Kule. Aktualisht janë depozituar pranë Ministrisë së Arsimit propozimet e të gjitha universiteteve publike në lidhje me kuotat e pranimit sipas kapaciteteve të mundshme për secilën degë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›