QSUT, traumatologjia dhe laboratorët, tek spitali i ri
Qendra Spitalore Universitare e Tiranës do të ketë tashmë shërbimin e vet të traumatologjisë. Pas debateve të shumta për kalimin e shërbimit në fjalë nga Spitali Ushtarak drejt QSUT-së, është gjetur një zgjidhje e re. Një shërbim i ri, që do të strehohet në ndërtesën e sapopërfunduar të qendrës spitalore, i veçantë nga ai i Spitalit Ushtarak.
Laboratorët, urgjencat dhe një pavijoni i traumatologjisë do të jenë pjesë e shërbimeve të spitalit më të ri në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ministria e Shëndetësisë, brenda muajit qershor do të përurojë spitalin më të ri në vend, duke shtuar kështu gamën e shërbimeve shëndetësore.
Godina e spitalit të ri tashmë është drejt fundit. Përurimi do të bëhet nga ministrja e Shëndetësisë në përfundim të punimeve, të cilat sipas afateve mbyllen brenda këtij muaji. Burime zyrtare pranë këtij dikasteri shprehen për gazetën se ndër shërbimet që do të funksionojnë në këtë spital, janë laboratorët dhe urgjencat. Ndërsa traumatologjisë, pavijoni më i ri i krijuar në QSUT, do t’i lihet një kat i tërë.
Hapja e këtij shërbimi vjen pas premtimit të bërë nga ministrja e Shëndetësisë Anila Godo. Pak muaj më parë, vetë ministrja pati deklaruar për krijimin e qendrës së dytë të traumatologjisë në një spital publik. Kështu, pas traumës në Spitalin Ushtarak, hapja e një pavijoni të tillë edhe në QSUT krijon mundësinë e marrjes së këtij shërbimi në dy alternativa. Asokohe, ministrja pati deklaruar se hapja e një qendre të re të specializuar për traumën do të funksionojë, krahas Qendrës Kombëtare të Traumës, të vendosur pranë Spitalit Ushtarak Qendror Universitar. Qendra Kombëtare e Traumës, e vetmja deri tani në vend, do të vazhdojë të funksionojë pranë Spitalit Ushtarak, për shkak të pozicionit strategjik gjeografik, në kryqëzimin e rrugëve kryesore nacionale, që vijnë nga veriu dhe jugu i vendit. Ndërkohë, sipas MSH-së, ngritja e qendrës së re traumatologjike pranë QSUT-së parashikohet të ketë 30 shtretër të traumatologjisë. "Ajo do të vendoset në spitalin e ri që po ndërtohet, një kat i së cilës do t’i përkasë kësaj qendre. Qendra e traumës në QSUT do të vendoset në spitalin e ri që është duke u ndërtuar dhe një prej kateve do t'i përkasë repartit të traumës", - sqaron MSH-ja. Hapja e një qendre të re është menduar të ngrihet pasi numri i aksidenteve është rritur se tepërmi, duke deklaruar shtimin e madh të aksidenteve që vijnë nga të dyja linjat, qoftë nga rruga e Shkodrës, qoftë nga autostrada. Godo pati deklaruar se “është një komoditet, që këta pacientë të mbërrijnë sa më shpejt në vendin e duhur. Mendoj që meritojmë të kemi dhe një qendër të re dhe të mirë traumatologjie dhe kështu do të jetë”. Aktualisht, në Qendrën Kombëtare të Traumës në Spitalin Ushtarak, trajtohen të gjitha rastet urgjente me trauma të kombinuara. Gjatë një viti kjo qendër pret më shumë se 30 mijë persona të aksidentuar. Ndërkohë, specialistët e shëndetësisë pohojnë se shkaku kryesor i traumave në vendin tonë janë aksidentet rrugore.
Virusi A
OBSH: 25,288 raste në 73 vende të botës
Numri i vendeve të prekura nga virusi A (H1N1) është rritur nga 1 qershori me 11 të tillë, duke arritur në 73. Bazuar në raportimin e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për virusin A (H1N1), gjatë ditës së sotme (8 qershor), 73 vende kanë raportuar zyrtarisht së janë prekur nga ky virus nga 66 që ishte ky numër 5 ditë më parë (sipas raportimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në datën 3 qershor) dhe 62 që ishte në datën 1 qershor. Në këto vende, numri total i rasteve të prekura nga virusi A (H1N1) është 25,288, nga 19,273 që ishte ky numër 5 ditë më parë (bazuar në të dhënat e OBSH-së të datës 3 qershor) dhe 17 410 raste që ishte në 1 qershor. Ndërsa, 139 janë rastet me vdekje të raportuara sot, nga 117 që ishin 5 ditë më parë dhe 115 që ishte në fillim të muajit (1 qershor). Meksika, vendi ku dhe u shfaq rasti i parë me virusin A (H1N1), është dhe më i prekuri, me 106 të vdekur. Numri i të prekurve në Meksikë nga ky virus në total është 5 717, nga 5029 që ishte 5 ditë më parë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar deri tani 13 217 raste në total, nga të cilat 27 vdekje. Për rajonin e Ballkanit të dhënat e fundit nga OBSH flasin për 5 raste të konfirmuara me virusin A (H1N1), në Greqi, situatë e cila është e pandryshueshme me 5 ditë më parë. Raste janë konfirmuar zyrtarisht edhe në Bullgari, 2 të tilla. Shqipëria nuk është prekur nga ky virus, ndërkohë që strukturat shëndetësore kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për përballimin e ndonjë situate të mundshme, në zbatim të rekomandimeve të OBSH-së.