Universiteti Kristal: Djali i Bossi-t, student konform ligjit. Kemi studentë italianë dhe nga vende të tjera
Pas lajmeve se djali i ish- liderit të Lega Nord në Itali, Umberto Bossi-t, ka një diplomë të një universiteti shqiptar, ka reaguar edhe universiteti Kristal që ka lëshuar këtë diplomë. Ata thonë se ai ka qenë student konform ligjit.
Në lidhje me informacionet që janë transmetuar në mediat shqiptare mbi diplomimin e shtetasve italianë Pierangelo Moscagiuro dhe Renzo Bossi, Universiteti Kristal dëshiron të sqarojë opinionin publik si më poshtë vijon: Shtetasi italian Pierangelo Moscagiuro është regjistruar në bazë të dokumentacionit të paraqitur në administratën e Universitetit në vitin akademik 2008-2009, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Shtetasi italian Renzo Bossi është regjistruar në bazë të dokumentacionit të paraqitur në administratën e Universitetit në vitin akademik 2007-2008, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Në Universitetin Kristal aktualisht janë të regjistruar përveç shtetasve italianë edhe shtetas të tjerë të huaj. Universiteti jonë është i hapur për çdo informacion në lidhje me këtë çështje, thuhet në deklaratën e Kristal.
Në dokumentet e publikuara nga mediat italiane thuhet se Renzo Bossi ka qenë një student i shkëlqyer dhe ka arritur rezultate shumë të mira në të gjitha degët.
Hetuesit e Milanos dhe Napolit dyshojnë se djali i Bossi-t nuk e ka frekuentuar fare fakultetin dhe se diploma është blerë me fondet e fushatave elektorale të Lega Nord. Në dokumente u gjet edhe një kopje e diplomës së marrë nga Pierangelo Moscagiuro (partneri i senatores legiste Rosy Mauro), në të njëjtin universitet privat, në Shkenca Politike me drejtim Sociologji.