Zharrza, komuniteti në luftë me industrinë
Qindra hektarë tokë bujqësore janë të kontaminuara në zonën naftëmbajtëse të Komunës Zharrëz, duke u kthyer në rrezik për komunitetin. Kryetari i Komunës Zharrëz, Taulant Grëmi, thotë se për reduktimin e ndotjes është kërkuar nga kompanitë vendase dhe të huaja përmirësimi i teknologjisë së nxjerrjes së naftës. Në sajë të presionit të komunitetit, në zonë është bërë mbyllja e dhjetëra puseve të vjetër si dhe kthimi në kushte premtuese të mjedisit përreth tyre. “Kemi bërë heqjen mekanike të puseve të vjetër, të cilët janë amortizuar dhe janë burimi më i madh i ndotjes dhe i sëmundjeve. Po ashtu kemi përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën pranë vendburimeve dhe kemi pastruar një pjesë të kanaleve të mbushura me mbetje nafte”, thotë Taulant Grëmi, kryetar i Komunës Zharrëz. Një problem tjetër për këtë zonë është segmenti i rrugës nacionale Fier-Berat që përshkon Zharrzën. Kryetari i komunës thotë se janë bërë përpjekjet e duhura që në këtë aks të ndërhyhet me investime dhe pritet që brenda vitit 2010 të realizohet riveshja e rrugës me asfalt.
#