E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lutaj: Meta të japë shpjegime për punësimin e të akuzuarit për trafik

Reagimet Ministria e Punëve të Jashtme deklaron se Rrapo nuk ishte në stafin diplomatik, por në atë teknik

Pas arrestimit të zyrtarit të Ministrisë së Jashtme kanë ardhur edhe reagimet politike, ku deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Lutaj ka sulmuar ashpër ministrin e Jashtëm, Ilir Meta. Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme, nëpërmjet një deklarate për shtyp, është shprehur se zyrtari nuk bën pjesë në stafin diplomatik, por në administratën publike.

Në deklaratën e tij, deputeti socialist ka kërkuar nga Meta që të flasë për këtë rast të rëndë, pasi nuk ka dhënë asnjë deklaratë në lidhje me arrestimin e tij për akuzën e trafikut të drogës. “është e turpshme që zyrtarë të partisë së Ilir Metës vazhdojnë të flasin për reformën zgjedhore edhe në kushtet e mungesës së plotë të transparencës e zbatimit të ligjit, por nuk thonë asnjë fjalë për ngjarjen e rëndë të ndodhur m’u në ministrinë që drejton Ilir Meta”, është shprehur Lutaj. Më tej, ai deklaroi se një tjetër zyrtar i lartë i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe punonjës i Ministrisë së Jashtme është arrestuar teksa aplikonte për vizë amerikane, nën akuzën e trafikut të drogës. “Si mundet Ilir Meta të punësojë dhe të paguajë me paratë e taksapaguesve, njerëz të përfshirë në trafiqe? Si mundet ta kthejë Ilir Meta Ministrinë e Jashtme në një çerdhe korrupsioni dhe trafiku që ia nxin përditë e më shumë faqen Shqipërisë dhe imazhit të saj?”, deklaroi deputeti i opozitës. Deputeti socialist, Pirro Lutaj, ka thënë më tej në deklaratë se Ministria e Jashtme, LSI dhe vetë Ilir Meta duhet të japin sqarime për mënyrën si është punësuar i arrestuari në Ministrinë e Jashtme.
Pas deklaratës së Lutajt ka ardhur edhe reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme. “Drejtoria e Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Punëve të Jashtme, pasi u njoh me lajmin për ndalimin nga Policia e Shtetit të qytetarit shqiptaro-amerikan Almir Rrapo, sqaron se ai është punësuar në MPJ, në sektorët e stafit teknik, në përputhje me të gjitha rregullat dhe normat ligjore në fuqi, që kodifikojnë marrjen në punë të punonjësve në administratën publike”, shprehet drejtori i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, Krenar Mema. Më tej, Drejtoria e Burimeve Njerëzore sqaron se i sipërpërmenduri nuk ka qenë asnjëherë anëtar i shërbimit diplomatik. “Paraprakisht janë kryer të gjitha verifikimet e nevojshme që ligji imponon në raste të tilla dhe nuk ka rezultuar që në adresë të tij të ketë të dhëna apo konsekuenca ligjore që të pengonin marrjen në punë”, reagon më tej kreu i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në MPJ. “Menjëherë, pasi Drejtoria e Burimeve Njerëzore ka marrë dijeni për ndalimin e shtetasit Almir Rrapo, ka kryer të gjitha veprimet ligjore dhe administrative për lirimin e tij nga detyra në funksion të veprimit të institucioneve të zbatimit të ligjit”, përfundon kreu i kësaj drejtorie, Krenar Mema.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›