E Diel, 1 Nëntor 2026

Universiteti i Korçës me 510 studentë të rinj, risi Shkenca e të Dhënave dhe Inteligjenca Artificiale

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Teknologjia, ekonomia dhe shëndetësia vijojnë të jenë ndër fushat më të preferuara nga të rinjtë që kanë zgjedhur Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës për vitin akademik 2026–2027, ndërsa 510 studentë janë regjistruar deri në përfundim të raundit të dytë, një shifër e përafërt me dy vitet e fundit.

Në ceremoninë e nisjes së vitit të ri akademik ishin të pranishëm kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, rektori i Universitetit “Fan S. Noli” të Korçës prof. dr. Lorenc Ekonomi, pedagogë, studentë, prindër etj.

Kryetari i Kuvendit Peleshi tha në fjalën e tij se “ky është një fillim i ri për studentët dhe një tjetër vit pune e përkushtimi për pedagogët. Universiteti “Fan Noli” nis një tjetër vit si një hapësirë e rëndësishme e dijes, formimit dhe mundësive për të rinjtë”.

“Me sytë nga e ardhmja, me më shumë dije, teknologji dhe mundësi të reja, qoftë ky një vit i mbarë për “Fan Nolin” dhe për të gjithë studentët e Shqipërisë”, tha Peleshi.

Rektori Ekonomi tha se “Universiteti këtë vit akademik ofron 7 programe studimi dyvjeçare, 26 programe bachelor, 14 programe master profesional, 14 programe master shkencor dhe 2 programe doktorature. Programet e reja janë pjesë e procesit të profilizimit dhe transformimit të institucionit, në përputhje me nevojat e tregut të punës dhe zhvillimet e reja në teknologji, bujqësi e turizëm”.

Ndër programet e reja, vijoi Ekonomi, janë bachelor në “Data Science”, në gjuhën shqipe dhe angleze, riorganizimi i programit Matematikë-Informatikë, masteri shkencor në Shkenca Kompjuterike, një diplomë duale me Universitetin e Barit në Itali, si dhe masteri shkencor në “Turizëm Smart dhe Zhvillim Rajonal”, një program ndërdisiplinor që ndërthur turizmin, gjeografinë dhe bujqësinë.

“Për herë të parë në Universitetin “Fan Noli” do të hapen edhe dy programe doktorature. I pari është në “Studime gjuhësore dhe etnokulturore në rajonin e Ballkanit”, në kuadër të një diplome të përbashkët me një universitet në Rumani, ndërsa i dyti në “Teknologji të avancuara dhe zbatime të inteligjencës artificiale në kërkimin ndërdisiplinor”, theksoi ai.

Sipas rektorit, edhe programet e hapura gjatë vitit të kaluar janë konceptuar mbi bazën e kërkesave të tregut, duke përfshirë riorganizimin e programit të Agroushqimit në Teknologji Ushqimore, masterin shkencor në Shkencat Bujqësore dhe masterin profesional në Arsimin Special.

Ndërkohë, shtoi Ekonomi, për programet me numër të ulët regjistrimesh pritet të merret një vendim nga Senati Akademik për aktivizimin ose jo të tyre.

“Në këtë grup përfshihen programet Gjuhë dhe Kulturë Franceze, Gjuhë-Letërsi Shqipe dhe Gjuhë Pakicash, Programi i Studimit Ekonomik dhe Matematikë-Fizikë”, tha ai.

Sa i përket programeve më të kërkuara, Ekonomi tha se “këtë vit janë Shkenca Kompjuterike, program i organizuar në formën e diplomës duale me Universitetin Politeknik, ku kuotat janë plotësuar 100%, si dhe Teknologji Informacioni dhe Informatikë Biznesi. Interes të lartë kanë pasur gjithashtu programet e Teknologjisë Ushqimore, Financës, Menaxhimit, Marketingut dhe Gjuhës Angleze, ndërsa programet e Infermierisë, Mamisë dhe Sporteve kanë plotësuar kuotat që në fazat e para të regjistrimeve”.

Universiteti “Fan Noli” vijon procesin e profilizimit të ofertës akademike, me synim përshtatjen e programeve të studimit me kërkesat e tregut të punës dhe zhvillimet e reja në teknologji, bujqësi dhe turizëm.

Në total, Universiteti “Fan S. Noli” i Korçës ka rreth 2500 studentë.

1 nga 4

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›