Njësia lëvizëse dentare në Elbasan nis depistimin për fëmijët me aftësi të kufizuara

TIRANË, 5 tetor /ATSH/ Kujdesi dentar për fëmijët po zgjerohet edhe në zonat rurale, përmes Njësive Lëvizëse Dentare të Klinikës Stomatologjike Universitare.
Në kuadër të projektit “Shkolla për Shëndetin”, dy njësi lëvizëse dentare në Elbasan mundësojnë depistimin dhe ofrimin e shërbimeve dentare pranë fëmijëve.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu njoftoi sot se ka nisur në Elbasan depistimi për fëmijët me aftësi të kufizuara në funksion të forcimit të kujdesit shëndetësor oral dhe garantimit të aksesit të barabartë në shërbimet dentare.
Nisma synon të rrisë aksesin në shërbimet dentare për fëmijët, veçanërisht për ata që ndodhen në zona ku nuk ka kabinete dentare në shkolla, si dhe të mundësojë identifikimin dhe trajtimin në kohë të problematikave dentare.
Në bashkëpunim me Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, shërbimi do të shtrihet edhe për fëmijët me aftësi të kufizuara, duke krijuar një proces më të rregullt nga depistimi, deri te trajtimi.
/e.i/r.e/a.f/