E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Mjekësisë, kritere të reja për pedagogët

TIRANË-Universiteti i Mjekësisë do të zbatojë kritere të reja për punësimin e pedagogëve vitin e ardhshëm akademik, të cilat nuk do të konsistojnë me konkurse me testime.

Rektorja e universitetit të Mjekësisë, Jera Kruja, tha se baza e kritereve të vendosura lidhet me gradën doktor shkencash, nota mesatare , specializime jashtë vendit.

"Rezultate të shkëlqyera, notë mesatare mbi nëntë në studimet universitare, dhe në studime specializuese afatgjata në fushën e mjekësisë dhe grada doktor për kandidatët që i kanë kryer këto studime brenda vendit, ose rezultate të mira me notë mesatare tetë në studimet universitare dhe studime specializuese afatgjata në fushën e mjekësisë grada doktor për kandidatët që kanë kryer këto studime jashtë vendit", tha Kruja.

Aktualisht, nga kriteret e reja që janë vendosur, kanë fituar të drejtën për të dhënë mësim në këtë Universitet rreth 40 mjek që tashmë do të punësohen edhe si pedagogë.

Me anë të një vendimi, Këshilli i Ministrave ka vendosur se personeli i kualifikuar i qendrave spitalore Universitare bëhet pjesë e organikës së personelit akademik të Universitetit të Mjekësisë, sipas njësive kryesore dhe atyre bazë.

“Kriteret e përgjithshme që duhet të plotësojë personeli i kualifikuar janë: Rezultate të shkëlqyera (notë mesatare mbi 9) në studimet universitare, në studimet e specializuese afatgjata në fushën e mjekësisë dhe titulli “Doktor”, për kandidatët që i kanë kryer këto studime brenda vendit”, thuhet në vendim. Sipas tij, do të pranohen si pedagogë të gjithë ata mjekë të cilët kanë rezultate të mira (notë mesatare mbi 8) në studimet universitare të specializimit afatgjatë në fushën e mjekësisë dhe titullin “Doktor”, kur i kanë kryer këto studime jashtë vendit. Personeli duhet të ketë së paku 7 vite punë në qendra spitalore universitare apo në spital, pas përfundimit të specializimit”, thuhet në vendim.

Sipas tij, përkatësia në njësitë kryesore dhe ato bazë të UMT-së vendoset me vendim të Senatit Akademik dhe Këshillit të Administrimit të Universitetit.

“Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe Universiteti i Mjekësisë Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi”, saktëson vendimi. Ai tashmë ka hyrë në fuqi pasi është botuar edhe në Fletoren zyrtare.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›