Universiteti i Tiranës mbledh fonde në ndihmë të banorëve të përmbytur
Në shenjë solidariteti ndaj të prekurve të fatkeqësisë në zonat e përmbytura në veri të vendit, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule ka nisur organizimin e mbledhjes së fondeve për të ndihmuar të gjithë banorët e prekur. Rektori Kule u bëri thirrje të gjithë të punësuarve dhe studentëve të universitetit që të ndihmojnë me aq sa të munden të prekurit e kësaj fatkeqësie. Prej ditës së parë të nënshkrimit të urdhrit nga rektori për ngritjen e këtyre grupeve të punës
është vërejtur interes si nga stafi i universitetit edhe nga studentët, të cilët kanë dhënë kontributet e tyre për të ndihmuar banorët e qarqeve Lezhë dhe Shkodër. Mekanizmi, i cili ka filluar të funksionojë prej ditës së djeshme, do të ketë rezultatet e para monetare në fillim të javës së ardhshme. Në të gjitha fakultetet e Universitetit të Tiranës, janë ngritur grupe pune për mbledhjen e fondeve të ndihmës nga stafi pedagogjik, stafi jopedagogjik dhe studentët. Me përfundimin e mbledhjes së fondeve, e gjithë shuma e grumbulluar do të hidhet në llogaritë bankare të hapura nga Këshilli i Ministrave në bankat e nivelit të dytë. Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule u bëri thirrje edhe të gjithë qytetarëve që të mos rrinë apatik në këto momente të vështira që kalojnë bashkëqytetarët tanë në zonat e përmbytura dhe të kontribuojnë për të tejkaluar këtë vështirësi, deri në kthimin në normalitet të jetës së tyre.
Last Updated on E Premte, 08 Janar 2010 21:21