Papunësia më e lartë në Eurozonë që prej vitit 1998
Si pasojë e krizës ekonomike, numri i të papunëve në zonën e monedhës euro ka arritur nivelin më të lartë që prej 11 vitesh. Siç bëri të ditur enti i statistikave Eurostat, në nëntor për qindja e papunësisë pa ndikimin sezonal, u rrit në 10 për qind. Në këtë nivel papunësia ka qenë për herë të fundit në gusht të 1998-s. Gjithsej në 16 vendet e hapësirës së euros pati 15,7 milionë burra dhe gra të papunë, tre milionë më shumë sesa një vit më parë. Sipas Eurostat-it,
pozitivisht u zhvillua prodhimi ekonomik. Duke u mbështetur prej rritjes së eksporteve dhe të rezervave në magazina ai u rrit në tremujorin e tretë me 0,4 për qind. Në këtë mënyrë mori fund recesioni më i rëndë që prej themelimit të Eurozonës, u tha më tej. Megjithatë liderët e Bashkimit Evropian do ta mbajnë një samit të jashtëzakonshëm më 11 shkurt në Bruksel, me fokus në forcimin e ekonomisë. Kjo mbledhje urgjente vjen pas krizës botërore që përfshiu edhe pjesën më të madhe të Europës. Në këtë samit do të diskutohet për skemat dhe politikat ekonomike që do të përdorin vendet e BE, për të kaluar periudhën e postkrizës.