Universiteti i Tiranës, padi për godinën tek Ekonomiku
Universiteti i Tiranës është duke përgatitur padinë për objektin që po ndërtohet brenda mjediseve të Fakultetit të Ekonomisë të universitetit më të madh në vend. Burime nga rektorati i këtij universiteti bëjnë të ditur se ky është hapi i fundit i mbetur pas mospërgjigjes së thirrjes së universitetit për ndalimin e ndërtimit si nga ndërtuesit e këtij objekti edhe nga Bashkia e Tiranës.
Padi dhe protesta
Objekti në fjalë që ka marrë lejen nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Tiranës, po ndërtohet brenda në mjediset e Fakultetit të Ekonomisë, çka ka sjellë reagimin si të studentëve ashtu edhe të pedagogëve të këtij universiteti, të cilët kanë paralajmëruar me protesta të vazhdueshme me qëllim ndalimin e objektit. Për këtë arsye, rektorati i Universitetit të Tiranës ka bërë të ditur se do të padisë në gjykatë ndërtuesit dhe Bashkinë e Tiranës.
Ndërkohë, burime nga Unioni Studentor i Fakultetit të Ekonomisë bëjnë të ditur se do të rifillojnë protestat prej ditës së sotshme, duke ndaluar buldozerët që të vijojnë punën e ndërtimit brenda mjediseve rrethuese të godinës së Ekonomisë. Sipas këtyre burimeve, këto protesta që do të nisin gjatë ditës së sotshme nuk do të ndalojnë deri në çastin që ndërtuesit e objektit të tërhiqen.
Çështja
Objekti në fjalë është miratuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Tiranës përpara disa vitesh, por të dyja herët që është çuar për miratim në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, është hedhur poshtë si i jashtëligjshëm. KKRRTRSH-ja e drejtuar asokohe nga ish-kryeministri Nano nuk e pranoi këtë leje e si pasojë çështja e ngritur u pezullua.
Porse përpara vetëm katër ditësh, në oborrin rrethues të Fakultetit të Ekonomisë u rikthyen mjetet motorike dhe nisi puna për ndërtimin e këtij objekti. Ky veprim hasi në rezistencën e menjëhershme të studentëve dhe pedagogëve të Fakultetit të Ekonomisë, të cilët ndërprenë mësimin dhe u drejtuan nga ndërtuesit, duke arritur ndalimin e punimeve, përgjatë ditës së premte.
Tashmë, është Universiteti i Tiranës i cili ka marrë përsipër ta zgjidhë këtë çështje në mënyrë ligjore. Rektori i këtij universiteti, prof. dr. Dhori Kule, deklaroi se do të dërgojë një letër drejtuar Kryeministrit Berisha, të cilin do ta vendosë në dijeni për problemin e krijuar. Nga ana e tyre, studentët dhe pedagogët e Ekonomikut janë shprehur të gatshëm të vazhdojnë pa afat protestat e tyre dhe se nuk do të lejojnë ndërtimin e këtij objekti brenda territorit të fakultetit të tyre.