Krijuesit e diasporës, të parët në Suedi
Në qytetin jugor të Suedisë, në Malmë, u mbajt Festivali i Tetë i Poezisë dhe i Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë. Mbi 35 krijues letrarë shqiptarë nga Suedia, Norvegjia, Gjermania e Franca dhe krijues muzikorë shqiptarë nga Suedia e Sllovenia, prezantuan punimet e tyre. Juria e festivalit, e udhëhequr nga poeti Sali Bashota, ndau të gjitha shpërblimet e festivalit. Vendin e parë për krijimet letrare e zuri poezia “Ishulli i dashurisë”, autore e së cilës ishte Shukrije Pllashniku – Rama. Vendin e dytë e mori poezia “Flakë dëshirash” e Beqir Hatashit dhe vendin e tretë e ndanë Afërdita Xani me poezinë “Në luftë me vetveten” dhe Zyrafete Kryeziu – Manaj me poezinë “Vasha e valëve”. Çmimin letrar të festivalit “Kosovë Rexhë–Bala” juria ia dha poezisë së Muhamed Krasniqit “Me vargun e dritës”, kurse vepra artistike e piktorit akademik Shyqri Gjurkaj iu dha Riza Sheqirit për poezinë “Për atdheun”. Sa i përket krijimtarisë muzikore, juria e festivalit e shpërbleu kompozitorin nga Maribori i Sllovenisë, Zeqirja Ballata për veprën “Ndarja” dhe kompozitorin nga Malmë, Suedi, Ahmet Bella për veprën “Yllin e pashë shumë të madh”. Në kuadër të veprimtarive përcjellëse të këtij manifestimi që organizohet nga Unioni i Shoqatave Shqiptare në Suedi dhe që mbështetet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, u bë edhe promovimi i librave të Fetah Bahtirit, Hamit Gurgurit e të Beqir Hatashit që jetojnë dhe krijojnë në Suedi.