Ekonomia botërore, tregues të zbutjes së krizës ekonomike muajt e parë 2009
Në tremujorin e dytë të vitit, treguesit e zbutjes së krizës ekonomike botërore u shtuan dhe ecuria e tyre u bë më e qëndrueshme. Përmirësimet u shfaqën më shpejt në tregjet financiare, ku oferta e bollshme e likuiditetit dhe politika monetare e lirshme, e ndjekur prej disa muajsh nga ana e bankave qendrore të vendeve me ekonomi të përparuar, nxiti rënien e normave të interesit në tregjet e parasë, mbështeti investimet në letrat me vlerë të borxhit të sipërmarrjeve të biznesit, dhe shkaktoi një rigjallërim të tregjeve të kapitalit, siç tregoi rritja e fortë e indekseve të platformave kryesore të tregtimit të aksioneve. Megjithatë, gjatë periudhës, huadhënia bankare vijoi të tkurret, ndonëse me një ritëm më të ulët rënieje, ndërkohë që shëndeti i bankave mbeti ende një shqetësim. Në kuadër të ecurisë së sektorit real, u vu re rënia më e ulët e prodhimit industrial, një ulje e qëndrueshme e inventarëve të mallrave për sipërmarrjet e biznesit, si edhe rritja e indekseve të besimit të biznesit dhe të konsumatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, kushtet e tregjeve financiare u përmirësuan dhe u shfaq një gatishmëri më e madhe e investitorëve për të investuar në letra me vlerë të borxhit të qeverive të vendeve në zhvillim. Për shkak të këtyre zhvillimeve, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon së fundi se ekonomia botërore do të tkurret me 1.4 për qind për vitin 2009, por do të rritet me 2.5 për qind gjatë vitit 2010, duke rritur me 0.6 pikë përqindje parashikimin e rritjes ekonomike botërore për vitin 2009, të publikuar në muajin prill. Në vendet me ekonomi të përparuar, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) parashikohet të bjerë me 3.8 për qind në vitin 2009, para se të fillojë të rigjallërohet gradualisht me një rritje prej 0.6 për qind në vitin 2010. Megjithatë, norma e papunësisë në vendet me ekonomi të përparuar vijon të rritet. Për shkak të ndikimit negativ që ka papunësia mbi shpenzimet e konsumatorëve, rritja e saj përfaqëson një element rreziku, që mund të vonojë në kohë dhe ta bëjë të paekuilibruar rimëkëmbjen ekonomike. Vendet me ekonomi në zhvillim pritet të përjetojnë rritje ekonomike gjatë gjysmës së dytë të vitit 2009, por me ndryshime të theksuara midis vendeve. Parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për rritjen ekonomike të këtyre vendeve në rajonin e Azisë janë rritur në 5.5 për qind, për vitin 2009 dhe në 7.0 për qind, për vitin 2010. Kontributi më i madh në këtë ecuri pritet të vijë nga rritja ekonomike e Kinës dhe e Indisë. Për vendet e rajonit të Amerikës Latine, parashikimi i rritjes ekonomike për vitin 2009 është përkeqësuar me 1.1 pikë përqindje, kryesisht për shkak se prodhimi në këto vende është dëmtuar nga rënia e tregtisë ndërkombëtare më shumë nga sa pritej në fillim të vitit. Nga ana tjetër, këto vende pritet të përfitojnë nga rritja e çmimit të lëndëve të para, ndaj parashikimi për vitin 2010 është rritur me 0.7 pikë përqindje. Për sa u përket vendeve të rajonit të Evropës Lindore, parashikimi i FMN-së është ulur me 1.3 pikë përqindje për vitin 2009 dhe është rritur me 0.2 pikë përqindje për vitin 2010. Arsyet lidhen kryesisht me rënien e investimeve publike dhe private në këto vende, si edhe me ecurinë në rritje të papunësisë.