E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Vlorës, kundër Maturës Shtetërore

Vendos kriteret e pranimit të studentëve të rinj, ndryshe nga sistemi i MASH-it
Të pranohesh si student në universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, këtë vit nuk do të jetë edhe aq e thjeshtë. Kjo të paktën për ata që nuk kanë mundur të sigurojnë një mesatare mbi notën gjashtë të katër viteve të gjimnazit. Po kështu, ata që duan të studiojnë në Fakultetin e Shkencave të Teknikës, duhet që me matematikën t’i kenë punët shumë mirë dhe të jenë jo më poshtë se nxënës të notës shtatë. Ata do të duhet që t’i nënshtrohen edhe një testimi kualifikues për dijet e tyre në këtë fushë. Pra, për ata nxënës që gjatë gjimnazit nuk i janë përkushtuar studimit, dyert e këtij universiteti do të jenë të mbyllura. Të paktën kjo lihet të kuptohet nga kriteret për pranimet e studentëve të rinj të vitit akademik 2010-2011 në këtë universitet.
Drejtuesit e këtij institucioni kanë vendosur disa kushte për të rinjtë që do të aplikojnë për studime në qytetin bregdetar. Një ndër to është edhe kushti për mesataren e pranimit jo më poshtë se sa nota gjashtë. Kjo bëhet në një kohë kur Ministria e Arsimit, shpërndarjen e të rinjve në universitete e mbështet mbi bazë të sistemit Meritë dhe Preferencë, ndryshe e standardizuar me procesin e Maturës Shtetërore.
Në faqen e internetit të Universitetit të Vlorës të bie menjëherë në sy njoftimi për kriteret e pranimit në UT për vitin 2010-2011. Aty thuhet se “për pranimet e reja në universitetin ‘Ismail Qemali’ të Vlorës do të aplikohen kriteret dhe procedurat e mëposhtme: Kandidatët duhet të kenë mesataren e përgjithshme të paktën 6 (gjashtë); Kandidatët që aplikojnë për pranim në degët e Fakultetit të Shkencave Teknike duhet të kenë mesataren e Matematikës të paktën 7 (shtatë); Kandidatët i nënshtrohen një provimi matematike që vlerësohet me pikë. Nëse studenti merr më pak se 50 pikë në 100 të mundshme, ai duhet të frekuentojë dhe të kalojë kursin e Pre-Kalkulus para se të fillojë studimet me lëndët e programit. Kursi i Pre-Kalkulus është një kurs matematike që zgjat 1 (një) semestër dhe programi i tij përcaktohet nga Departamenti i Matematikës me miratimin e zv/rektorit akademik të universitetit. Ky është një kurs me kredite, por nuk llogaritet për diplomimin e studentit”.Të gjitha këto kushte të përcaktuara në mënyrë të detajuar në faqen zyrtare të Universitetit të Vlorës në internet e bëjnë atë krejtësisht të dallueshëm nga të gjitha institucionet e tjera të arsimit të lartë publik në vend. Por, drejtuesit e Universitetit të Vlorës, nisur edhe nga Ligji për Arsimin e Lartë, i miratuar në shtator 2007, i referohen autonomisë universitare të garantuar nga ky kuadër ligjor. Ata që mbeten keq nga një vendim i tillë, duket se janë vetëm përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit.Që prej katër vitesh, tanimë MASH ka aplikuar sistemin e Maturës Shtetërore mbështetur mbi parimin Meritë Preferencë, ku çdo maturant në Formularin A2 kërkon dhjetë degë studimi në përputhje me dëshirat, por edhe mundësitë e tij të klasifikimit në një universitet publik. Pas dhënies së katër provimeve, dy të detyruar dhe dy të lëndëve me zgjedhje përmes një formule matematikore, ku llogaritet mesatarja, si dhe koeficientët e shkollës së mesme dhe të lëndëve me zgjedhje secili merr rezultatin final. Në bazë të tij, bëhet edhe shpërndarja e të rinjve nëpër dhjetë degët e preferuara.
Pesha e mesatares së gjithsecilit në totalin e pikëve është vetëm 20 për qind dhe këtë vit kjo do të mbetet e pandryshuar, sipas ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj. Por ndryshe ndodh me kërkesat e Universitetit të Vlorës. Tashmë, fjala i mbetet Ministrisë së Arsimit, e cila edhe një vit më parë u përplas me drejtuesit e këtij universiteti që refuzuan të regjistronin të rinjtë me mesatare nën gjashtë të përzgjedhur nga sistemi i Maturës Shtetërore 2009.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›