E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, nga katalizator, në negociator për krizën

Presidenti: Pozitive, arritja e vazhdimit të dialogut
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, avancon rolin e tij, duke u kthyer nga nxitës i dialogut, në negociator për zgjidhjen e krizës. Pasi ka arritur një sukses në mosdështimin e dialogut Berisha-Rama, i cili dje ka pasur një moment acarimi, numri një i Republikës ka marrë rolin e përgatitjes së draftit për seritë e radhës së tryezës mes dy rivalëve politikë në vend. Një ekip i gjerë ekspertësh po përgatit në detaje materialet që do t’u ofrohen palëve për zgjidhje. Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, ka deklaruar dje se tryeza politike mes Berishës dhe Ramës ka arritur një rezultat të pjesshëm, por sipas Presidentit “Substancial”, vazhdimin e dialogut dhe gjetjes së pikave ku palët mund të bien dakord. Pas tri orë bisedimesh dhe deklaratave të protagonistëve, Topi ka dalë para publikut duke u dhënë një rreze shprese për zgjidhjen e krizës, edhe pse në dorë realisht nuk e ka Presidenti, por krerët e mazhorancës dhe opozitës. Kreu i shtetit, në deklaratën publike, nuk ka harruar të falënderojë Berishën dhe Ramën, duke vlerësuar dhe rolin e ndërkombëtarëve që sollën zhvillimin e tryezës. Duke kanalizuar pikërisht hapin e parë të asaj që mund të quhet arritje, kreu i shtetit tha: “Unë besoj që momenti më pozitiv i ditës së sotme (djeshme) është predispozicioni për t’u ulur në tryezë, rifillimi i dialogut politik midis dy elementeve substanciale të demokracisë, mes mazhorancës dhe opozitës, e cila ka ditur në vitet e pluralizmit shqiptar të bashkëpunojë, ka ditur të kalojë traumat e bashkëpunimit dhe jam i bindur që edhe takimi i cili angazhoi në më shumë se tri orë në bisedime të hapura, në bisedime pa komplekse të aktorëve kryesorë të politikës shqiptare, të cilët diskutuan për opsionet e tyre dhe natyrisht dhanë një element shumë të rëndësishëm që tryeza e dialogut do të vazhdojë. Ky ishte një angazhim reciprok i palëve, të cilat vlerësuan tryezën, iu referuan në mënyrë të qartë pikave të rezolutës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, natyrisht duke shprehur edhe pozicionet e tyre specifike”.
Presidenti ka justifikuar vështirësitë e bisedimeve të djeshme, pikërisht me historitë e përplasjes së ashpër ndërmjet PD-së dhe PS-së. Megjithatë, sipas Topit, “mendjet racionale duhet të kuptojnë që është realizuar një moment shumë i rëndësishëm i demokracisë: rifillimi i një komunikimi të drejtpërdrejtë, jo nga distancat, por në tavolinë”. Ndërkaq, duke shpjeguar hapat e mëtejshëm të tryezës së nisur dje, Topi tha se “ramë dakord që Presidenti të vazhdojë dhe termi më i gjetur besoj, që ramë dakord, ishte që të kërkojë pikat ku palët mund të gjejnë gjuhën, mund të bashkëpunojnë dhe sigurisht jep shpresë që kjo tryezë, së bashku me elementë të tjerë që kanë të bëjnë jo thjesht vetëm me faktorët politikë, por edhe ekspertizë, gjithmonë mbi bazën e vullnetit politik të shprehur, të vazhdojë dhe të japë garanci që demokracia në Shqipëri do të jetë funksionale, do të jetë efikase në funksion të interesave më madhore të popullit shqiptar”. Presidenti i Republikës, edhe pse nuk ka dhënë ndonjë datë për vazhdimin e negociatave, ka garantuar se ato do të zhvillohen dhe për këtë ka marrë garancinë e liderëve politikë. Presidenti i Republikës ka inkurajuar kompromisin, duke kujtuar precedentët e dialogut në vitet e shkuara: “Ne kemi shembuj shumë pozitivë se si aktorët politikë edhe në të kaluarën kanë realizuar komunikime dhe vendimmarrje shumë të rëndësishme. është substanciale për demokracinë në Shqipëri, për institucionet e saj që ky bashkëpunim të vazhdojë në të mirë të së ardhmes së shoqërisë shqiptare, të fëmijëve tanë, të cilët në mënyrë të qartë aspiratën e tyre e kanë orientuar dhe po e realizojnë hap pas hapi në vizionin euroatlantik”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›