Eshtrat, mungojnë shumë pjesë skeletore

Mjekësia Ligjore: Në zonë ka pasur edhe kërkime të tjera. Kafka nuk përputhet me skeletet
Mjekësia Ligjore vlerëson se në skeletet e ekzaminuara deri tani ka vlera identifikuese të ndryshme. Këto shenja identifikuese vijnë nga analiza antropologjike që po u kryhet të gjithave. Megjithatë, ekspertët nuk kanë pranuar të tregojnë disa nga këto të dhëna identifikuese deri në përfundimin e plotë të ekzaminimeve. Deri ditën e djeshme, Mjekësia Ligjore ka ekzaminuar rreth 15 skelete, por që nuk janë të plota. Sipas të dhënave nga Mjekësia Ligjore, kjo nuk është hera e parë që janë gjetur eshtra në “repartin 313”, nga njerëz që kërkonin të afërm të tyre, të vrarë gjatë regjimit komunist.
Rindërtimi i skeleteve
Sipas të dhënave, 15 nga 19 skeletet e gjetura në rrëzë të malit të Dajtit, janë rindërtuar dhe aktualisht ndaj tyre kanë filluar ekzaminimet shkencore si: përcaktimi i gjinisë, gjatësisë trupore dhe marrjen e kampioneve kockore. Më tej, mësohet se për katër skelete eshtrat nuk përputhen, çka tregon se ato janë të personave të ndryshëm dhe për pasojë duhet një gërmim më i specializuar në zonën ku janë gjetur kockat, me qëllim zbulimin e eshtrave të tjera, të cilat do të shërbejnë në rikonstruksionin e plotë të tyre.
Kërkime të mëparshme
Mjekësia Ligjore shtoi se tashmë janë marrë të gjitha masat për ekzaminimin e plotë të eshtrave që u përkasin personave të pushkatuar gjatë regjimit komunist. Kockat do t’u nënshtrohen një sërë analizave, duke filluar nga ato shkencore e deri te krahasimet e ndryshme. Identifikimi i tyre do të zgjasë disa kohë, pasi ato janë hedhur në mënyrë të çrregullt nga personat që i kanë zbuluar. Madje, mësohet se edhe kafka që u gjet më vonë, nuk përputhet me asnjë nga skeletet e gjetura. Sipas specialistëve, vendi ku u gjetën eshtrat i ngjasonte një miniere të vërtetë, pasi për vite me radhë shumë persona kanë gërmuar aty me shpresën se do të gjenin trupat e familjarëve të tyre. çdokush që gërmonte, arrinte të gjente skelete njerëzish, por pas kryerjes së analizave, këto eshtra ose pranoheshin nga të afërmit, ose sërish ktheheshin në vendin ku ishin gjetur. Madje, një pjesë e tyre dërgoheshin për ekzaminim më të specializuar në Itali.
Analiza antropologjike
Megjithatë, nga analiza antropologjike të skeleteve të gjetura do të saktësohen shumë të dhëna. Ekspertët e Mjekësisë Ligjore shpjegojnë se verifikimi i këtyre vlerave identifikuese nis që me pastrimin e eshtrave. Fillimisht, eshtrat pastrohen nga gjithë pjesët e mbetura në to, ku janë të përziera me dhera. Këto kampione dërgohen për analiza për të zbuluar nëse në brendësi të tyre ka edhe substanca të tjera. Specialistët shpjegojnë se zakonisht në dherat përreth skeleteve gjenden dhe vlerësohen mbetje që mund të kenë ardhur nga kalbëzimi i objekteve të ndryshme. Zakonisht, këta persona, qoftë ata të vrarë apo të vdekur nga shkaqe të tjera, kur janë varrosur, kanë pasur orë, unaza, rripe apo sende të tjera me vete. Gjithashtu, këto mbetje analizohen dhe ekspertët nxjerrin përfundimet se një kufome të tillë mund t’i përkasin këto sende personale. Gjithashtu, edhe në veshjet që mund të kenë pasur, sidomos me kopsat, mund të rezultojë ndonjë e dhënë për identifikimin e tyre.
Të dhënat e para
Mjekësia Ligjore tregon se ka shenja të ndryshme, por nuk pranon të japë të dhëna zyrtare, deri në përfundim të ekspertimit të plotë. Sipas tyre, këto nuk janë shenjat e vetme të studimit për identifikimin e këtyre kufomave. Gjithashtu, Mjekësia Ligjore do të studiojë edhe shenjat që mbeten në kocka. Sipas ekspertëve, shenja të tilla mund të jenë dhëmbët. Ata shpjegojnë se nëse një person i caktuar ka pasur një dhëmb të hequr, një kockë të thyer, apo probleme të tjera skeletore, atëherë kjo mund të ndihmojë në identifikimin e tij. Megjithatë, kërkimet e reja në zonë mund të sjellin fakte të reja, kështu që një grup pune do të mbledhë gjithë eshtrat në këtë zonë, ku janë bërë gërmime nga grupe të ndryshme dhe pa specializimet e duhura.
#