E Diel, 1 Nëntor 2026

Ura Vajgurore pa gjimnaz, Qeveria akordoi fond gjysmak për godinën e re

Banorët e qytezës së Urës Vajgurore vuajnë prej vitesh pasojat e mungesës së një shkolle të mesme. Mësimi për 784 nxënësit e kësaj shkolle kryhet me turne në shkollën 9-vjeçare të këtij qyteti, ndërsa në 12 klasa ulen nga 50 nxënës, në secilën me 3 nxënës në një bankë. Nxënësit e Urës Vajgurore, por dhe ata të katër fshatrave të zonës përreth detyrohen ta kryejë mësimin gjatë orëve të pasdites për shkak se në këtë qytezë nuk ka një godinë shkolle për ta. Drita jeshile për ndërtimin e një shkolle të re për këtë qytezë u çel vitin e kaluar kur Qeveria nëpërmjet Ministrisë së Arsimit akordoi një fond për ndërtimin e një shkolle të re. Për vitin 2008, Bashkisë së Urës Vajgurore i është akorduar një fond prej 10 milionë lekësh të rinj me qëllim ndërtimin e një shkolle të re. Bashkia mundi të siguroj truallin për ndërtimin e objektit për shkollën e mesme të përgjithshme në një shesh ndërtimi të përshtatur për të gjithë qytetin dhe në qendër të tij. Punimet pas procedurës së tenderimit nisën menjëherë pas çeljes së një pjese të fondit prej 51 milionë lekë të rinj. Por, ndonëse sipas afateve të përcaktuara shkolla duhet të ishte përfunduar në datën 5 qershor, ndërtimet e saj kanë ngelur në mes. Punimet kanë muaj që nuk vazhdojnë, për shkak se pjesa tjetër e investimit nuk është lëvruar. Në këto kushte, firma sipërmarrëse ka muaj që nuk po kryen punimet, pasi ka arritur të realizojë vetëm 40% të investimit me lekët e çelura. E ndërsa pjesa tjetër e fondit nuk lëvrohet, firma ka vendosur që ti lërë në mes punimet. Në këto kushte, Bashkia e Urës Vajgurore është detyruar ti drejtohet Ministrisë së Arsimit duke kërkuar lëvrimin e pjesës tjetër të fondit. Kryetari i Bashkisë së Urës Vajgurore Syrja Ormënaj thotë se i është drejtuar disa herë zyrtarisht ministrisë përkatëse për lëvrimin e fondit, por nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare rreth këtij problemi. Ormënaj vlerëson se ministria duhet ta kishte lëvruar prej muajsh pjesën tjetër të fondit, investim që kjo bashki e fitoi nga grandet konkurruese. Por, në drejtim të institucionit vendor nuk ka arritur asnjë përgjigje rreth lëvrimit të fondit. Firma që ka marrë përsipër ndërtimin e shkollës dhe që e detyruar ka ndërprerë punimet, vazhdon të jetë në pritje të lëvrimit të investimit, i cili do të kishte përfunduar në kohë ndërtimin e shkollës së mesme aq shumë të dëshiruar për banorët e kësaj qyteze. Por, shqetësimi i kreut të bashkisë shkon dhe më tej. Ai shprehet se në kushtet që punimet janë ndërprerë prej disa muajsh, mund të vënë në rrezik dhe ndërtimet e bëra deri më tani. Shkolla, sipas projektit duhet të përfundonte më 5 qershor, por duket se kjo ditë do të jetë ende larg. Nga ana tjetër themelet e shkollës dhe të palestrës së saj janë në rrezik jo vetëm nga themelet e lëna përgjysmë por se reshjet e fundit kanë mbushur me ujë këta të fundit, ndërsa ndryshku gërryen edhe hekurin e lënë në mëshirë të fatit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›