E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekonomia nuk drejtohet nga ekonomistë

Nga Sadedin ÇELIKU
Studimet e fundit vërtetojnë se ekonomia e tregut nuk vetërregullohet dhe nuk mjafton  ofertë- kërkesa nëse nuk ka asistencën dhe mbështetjen e qeverive në përgjithësi dhe atyre që kanë politika të qarta për ekonominë në veçanti. Këtë e vërtetoi më së miri kriza financiare që pllakosi të gjithë botën dhe që kërkon masa të forta për daljen prej saj. Shkalla e rëndësisë për prioritetin që i do dhënë ekonomisë fillon nga struktura që krijon një forcë politike. Duke dashur ti kthehemi problemeve tona më lejoni të sjell në vëmendjen e lexuesit disa fakte dhe argumente që vërtetojnë se ekonomia shqiptare  nuk drejtohet nga ekonomistë. Në vendin tonë, zhvillimi ekonomik bëhet në mënyrë kaotike dhe spontane po të kemi parasysh rritjen e papunësisë, mungesën e prodhimit, bilancin e import-eksportit, rritjen e deficitit buxhetor pa asnjë studim, kreditë tregtare me interesa të larta, mungesa e masave për uljen e shpenzimeve, mosreflektimi i krizës financiare dhe efektet e saj në buxhetin e shtetit e mjaft plagë të tjera që e kanë burimin te politikat e gabuara të qeverisë. Vëmë re se pikërisht aty ku duhet të jenë prioritetet, nuk ka ministri. Për shembull, mungon Ministria e Turizmit. Këtë sektor në Ministrinë e Kulturës e mbulojnë vetëm katër vetë dhe një agjenci ku dominon një personel jashtë profilit. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit është bërë një bashkim mekanik që e  vërejmë vetëm në Hollandë dhe në asnjë vend tjetër. Vendi ynë është pa ujë, transport dhe telekomunikacion e megjithatë në emër të numrit të vogël të ministrive  abuzohet deri në pikën që këta sektorë i lëmë jashtë vëmendjes.  Ministri Ekonomie në vete nuk ka dhe për rrjedhojë nuk ka kush të bëjë politikat ekonomke. Me problemet e integrimit nuk merret ministria përkatëse por Ministria e Punëve të Jashtme. Kjo e fundit nuk merret me problemet ekonomike. Shikoni vendet e zhvilluara. Diplomacia e tyre fokusohet në problemet ekonomike e tregtare apo bëjmë  diplomaci të madhe ne. Pse mungojnë këshilltarët ekonomike në strukturat e ambasadave tona apo kursejmë?! Kështu mund të flasim dhe për ministritë e tjera. Pra ekonomia shqiptare prodhon vetëm papunësi. Ministritë tona janë kthyer në ministri licencash se punë të tjera nuk bëjnë. Ajo e Transportit, vetëm licenca jep dhe është shndërruar në ministri rrugësh. E Arsimit, i ka ardhur bixha me shkollat e universitetet jo publike dhe nuk merret me gjë tjetër. Mjedisit, i kanë mbetur licencat e peshkimit se vetëm me ndotjen nuk merret. Nuk ka pak punë dhe ajo e Privatizimit me privatizimet të gjitha të dyshimta dhe aspak transparente për publikun. Koncesione pa studim që nuk çojnë në efektivitet e rentabilitet. Ministria e Shëndetësisë ka dhe ajo riskun e vet me klinikat e farmacitë private. Na rroftë ligji i konfliktit të interesave, se kudo vetëm për interesa e përfitime flitet. Po kush do ta ndalojë këtë erozion ekonomik dhe kur do ti japim shpresa shqiptarëve  se ky vend mund dhe duhet të bëhet?! Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar Shqipëria është vendi i dytë me borxhin më të madh në ekonomitë europiane në zhvillim. Në 2007, borxhi i qeverisë ishte 52.7  përqind e produktit të brendshëm kur në ekonomitë e tjera të ngjashme ai luhatet 3.5 - 45 %. Borxhi i Shqipërisë ka ardhur në ulje konstante nga 87 % që ishte në 1990, në 52.7 % në vitin 2007. Por në vitin 2008 kjo tendencë u përmbys sërish dhe borxhi u rrit për herë të parë pas shumë vitesh në 54 % të produktit të brendshëm bruto. Shkak ishin financimet e mëdha për rrugën Durrës- Kukës- Morinë. Niveli i lartë i borxhit bën që qeveria të harxhojë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave nga taksat vetëm për pagimin e interesave të tij. Qeveria Shqiptare nuk i pranon parashikimet e FMN-së dhe as rekomandimet. Shkak për këtë është paaftësia dhe rritja e shfrenuar e shpenzimeve për qëllime elektorale, gabime këto që rëndojnë mbi taksapaguesit shqiptarë. Gabimi më i rëndë është keqadministrimi i burimeve dhe potencialit njerëzor. Kudo në administratën publike dominojnë militantët me dhe pa arsim. E çi duam ekonomistët kur ekonomia u rregulloka vetë?! Ata janë katandisur në shitës.  Janë me mijëra studentë që vazhdojnë studimet në vendet perëndimore  dhe me qindra të tjerë për mastera dhe doktoratura. Me qindra janë të diplomuar. Askush nuk kujtohet për këto dhe as e merr mundimin njeri në Ministrinë e Arsimit të administrojë këtë pasuri, madje ajo nuk ka edhe strukturë për ndjekjen e tyre kudo që janë. Ata e kanë mendjen te njehsimi i diplomës apo gradës shkencore edhe po të kesh mbaruar Harvard-in; dhe te licencat e shkollave jopublike. Sa turp! Edhe pse Shqipëria është një nga vendet me rritjen ekonomike më të madhe në rajon, të dhënat zyrtare tregojnë se zhvillimi i ekonomisë nuk është shoqëruar me krijimin e vendeve të reja të punës. Të dhënat zyrtare nga INSTAT-i tregojnë se paradoksalisht kjo rritje e kënaqshme e ekonomisë ka mundur të hapë vetëm 54.000 vende pune të reja në 8 vjet ose 5.8 % më shumë. Por edhe këto nuk janë vende të mirëfillta pune, të cilat kanë ardhur si pasojë e rritjes së biznesit. Sipas saj, 40 nga 54 mijë vendet e reja të punës që janë krijuar që nga viti 2001 i përkasin sektorit bujqësor, pasi qeveria i regjistron fermerët si të punësuar. Duke patur parasysh se me mijëra vetë dalin të papunë nga reformat  si dhe nga efektet që shtrihen në ekonomi nga kriza financiare rezulton se shifrat e papunësisë janë të njëjtat. Pra ekonomia ka mbetur pa ekonomistë dhe ska si bëhet ndryshe. Kudo ku janë bërë investime, nuk riciklohen pra investime që nuk sjellin të ardhura për ekonominë. E pra mungojnë ekonomistë edhe pse kudo kemi vetëm probleme ekonomike. Ato i kemi të shumta në numër me shumë mundësi për të bërë seleksionim. Edhe aty ku administrojnë të rinj që janë diplomuar jashtë vendit i bëjnë menjëherë deputetë apo drejtues kryesorë në njësitë vendore. Sa gabim. Ekonomia shqiptare ka mjaft sëmundje që duhen kuruar se për ti shëruar nuk ka mundësi më, dhe për të bërë këtë duhet vullnet politik dhe përkushtim. Le të shpresojmë se qeveria e re që do të dalë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, do të ndalë erozionin ekonomik dhe të ngjallë besimin e shpresën e vrarë se Shqipëria ka vend dhe për ata që u larguan jashtë vendit për një jetë më të mirë.  

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›