E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha hap fushatën në Lushnje: Ta kthejmë 28 qershorin, në festë për të djathtën

Kryeministri Berisha ka hapur fushatën elektorale të Partisë Demokratike në rrethin e Lushnjës, ku dhe ka prezantuar kandidatët për deputetë që do të garojnë nën siglën e kësaj force politike. Kreu i qeverisë më parë është ndaluar në komunën e Tërbufit ku dhe ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të rikonstruksionit të rrugës së fshatit Sulzotaj, në këtë komunë të qarkut Lushnje. Ne çelim këtu fushatën elektorale, në të cilën unë paraqes kandidat për deputet zotin Daut Sulaj, një nga demokratët më të shquar të Lushnjës, demokrat i vendosur. Unë ju garantojë se zotin Daut do ta mbështesë për zgjidhjen e të gjitha problemeve tuaja. Ne nisim fushatën elektorale me një marrëveshje të re me ju, me një marrëveshje shumë të rëndësishme, ka theksuar Berisha. Në këtë drejtim ai ka përmendur arritjen e marrëveshjes së parë të nënshkruar së bashku me qytetarët shqiptarë, duke veçuar arritjen e disa objektivave të mëdha. Kreu i qeverisë ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të rikonstruksionit të rrugës të fshatit Sulzotaj, në komunën e Tërbufit në qarkun e Lushnjës ku ka premtuar se në tre vitet që do të vijnë, mazhoranca e djathtë do të investojë tre herë më shumë për infrastrukturën e komunave në vend. I garantojë kryetarit tuaj të komunës, i cili i përket një force tjetër politike, dhe çdo kryetari komune të këtij vendi, se pavarësisht nga forcat politike që u përkasin, do të kenë te qeveria ime mbështetje të plotë të barabartë, për të gjitha projektet e tyre për të ndryshuar jetën e komuniteteve, jetën e qytetarëve tanë. Unë e ftoj kryetarin dhe këshillin e komunës tuaj të hartojë projekte në mënyrë që qeveria ime ti financoj ato, nënvizoi Berisha. Ai ka garantuar se kjo qeveri do të shndërrojë çdo fshat të këtij vendi, që do të llamburitë e do të xixëllojë si një lagje e qyteteve të Shqipërisë. Kryeministri Berisha ka ftuar banorët e kësaj komune për të marrë pjesë në votime, duke u ndaluar tek fakti që në mandatin e dytë të kësaj qeverie, të votojnë për Myzeqenë, për Lushnjën për Shqipërinë Evropiane. Po gjatë ndalesës së tij në Lushnje, kryeministri Berisha ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të rikonstruksionit të rrugës në komunën Dushk. Duke ftuar banorët e kësaj komune për të marrë pjesë në votime, kreu i qeverisë ka kërkuar prej tyre shndërrimin e datës 28 qershor në festën e së djathtës. Pse e them këtë? E them këtë sepse një Shqipëri evropiane është trashëgimia më absolute, që ne mund të lëmë për këta të rinj dhe këta fëmijë. Ndaj dhe këto zgjedhje janë prova jonë, ti marrim letërnjoftimet. Ju garantojë se ato do të kenë shumë e shumë përdorime, jashtëzakonisht të dobishme për ju. Jo vetëm për zgjedhjet, për të votuar, theksoi ai. Ndër të tjera, Berisha ka theksuar se çdo premtim i mbajtur është bërë realitet. Në katër vite, kur para nesh ndodhej muri i krimit dhe korrupsionit, kur buxheti i qeverisë ishte dy herë më i vogël se ky që është sot, theksoi ai duke shtuar se dhënia e këtyre premtimeve në atë kohë ka qenë e shoqëruar vetëm nga shpresa për ti kthyer në realitet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›