Uragani “Rina” kërcënon Karaibet

Një mjet lundrues nga Nikaragua, që po evakuonte banorët e një lokaliteti bregdetar, është zhdukur bashkë me 27 persona që kishte në bord.
Aktualisht “Rina” po drejtohet për në Belize dhe gadishullin meksikan të Jukatanit, ka bërë të ditur Qendra amerikane për Uraganet.
Pjesa më e madhe e Amerikës Qendrore është tashmë e mbuluar nga uji, për shkak të rrebeshit të fortë që i kushtoi me jetë rreth 100 personave.
Fillimisht “Rina” ishte një stuhi.
Ajo u lokalizua 310 kilometra në jug-perëndim të ishullit Gran Kajman dhe pritej të kthehej në një uragan të madh, teksa lëvizte drejt tokës.
Në Ishujt Kajman shirat pritet të jenë nga 5 deri në 10 centimetra.
Autoriteteve në Belize dhe në gadishullin e Jukatanit, një destinacion i njohur turistik, u është kërkuar të monitorojnë situatën.