E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uragani Alex goditi Meksikën

Metereologët në SHBA kanë njoftuar se uragani i parë i sezonit 2010 në Atlantik ka goditur pjesët verilindore të Meksikës.

Qendra Kombëtare e Uraganeve në Majami njoftoi se uragani Alex – me erëra me shpejtësi deri në 170 kilometra në orë, goditi tokën të mërkurën në mbrëmje, në jug të kufirit mes Meksikës dhe SHBA-së.

Dje gjatë ditës, uragani Alex u intensifikua në Gjirin e Meksikës, duke penguar përpjekjet e pastrimit të naftës, si pasojë e rrjedhjes së pusit që prej 20 prillit, megjithëse stuhia ishte shumë larg pusit të dëmtuar të kompanisë BP.

Një zëdhënës i ekipit që merret me operacionet e pastrimit të naftës tha se dallgët në Gjirin e Meksikës ishin shumë të mëdha dhe nuk mund të vazhdoheshin operacionet e pastrimit. Por admirali i Rojës Bregdetare, Thad Allen tha se pret që kushtet të përmirësohen.

Admirali Allen tha se deri në 60 mijë fuçi nafte në ditë rrjedhin çdo ditë nga pusi i dëmtuar.

Ai tha se grumbullimi i naftës ka vazhduar, por ujërat e turbullta kanë shkaktuar shtyrjen e instalimit të një anijeje të tretë për grumbullimin e naftës, e cila mund të dyfishojë sasinë e naftës së grumbulluar çdo ditë.

Uragani Alex i ka vërshuar rrugët dhe i ka detyruar mijëra njerëz që të evakuohen nga fshatrat e peshkimit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›