E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uragani Irene shkon ne 21 numri i viktimave. Deme ne New York

Pasoja e uraganit “Irene” i cili u përplas në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara gjatë fundjavës, janë po aq të rënda sa ç’ishte paralajmëruar. 21 persona humbën jetën nga erërat e fuqishme dhe përmbytjet që la pas “Irene”, ndërsa do të duhen disa javë kohë për të riparuar dëmet në qytetet më të populluara amerikane e sidomos në Nju Jork.

Uragani tashmë i dobësuar ndodhet në brigjet kanadeze, ndërsa në Shtetet e Bashkuara kanë nisur puna për rikthimin e jetës normale. Përmbytje të mëdha raportohen në mjaft qytet, ndërsa po punohet për të kthyer energjinë për pesë milionë banorë që përjetuan një black out total gjatë kalimit të stuhisë. Presidenti Obama paralajmëroi se ndikimi i stuhisë do të ndjehet për javë të tëra.

“Dëshiroj që njerëzit të kuptojnë se ende nuk ka marrë fund. Përpjekjet për rimëkëmbjen pas uraganit do të vazhdojnë për disa kohë. Një nga shqetësimet tona më të mëdha ndërsa prisnim goditjen e uraganit ishte mundësia e përmbytjeve dhe e ndërprerjes së energjisë. Pikërisht kështu ka ndodhur sic na raportojnë nga shumë shtete”- tha Obama.

Presidenti, që kishte në krah sekretaren për Sigurinë Kombëtar Xhanet Napolitano njoftoi se ekziston mundësia e përmbytjeve të reja për shkak se lumenjtë janë fryrë në nivele historike.

Uragani “Irene” u ndje në qytete dhe periferitë e tyre që nga New Jersi deri në Vermont. Shira dhe rryma të fuqishme dëmtuan shtëpitë dhe kanë pa energji miliona.

Sic njofton BBC, kostoja e rindërtimit dhe e pagesave të sigurimeve mund të kapë shifra me miliarda dollarë. Por të paktën, në qytetet e mëdha, si New Yorku ndihet lehtësimi i shmangies së katastrofës që u perceptua ndërsa Irene afrohej me shpejtësi.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›