“Urat e reja për Shqipërinë 2030”, Veliaj: Në 10 vjet ekonomia e Tiranës kaloi nga tekstili në turizëm dhe IT

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se, “Tirana dhe Aleksandria në Egjipt, këtë vit janë qytetet mesdhetare të kulturës”, teksa vuri në dukje se investimet e reja bashkëkohore e kanë rivitalizuar ekonominë dhe zhvillimin e kryeqytetit, duke e shndërruar ekonominë e Tiranës në 10 vjet, nga një ekonomi e bazuar në tekstil e fasoneri, në një ekonomi të bazuar në turizëm e IT.
I pranishëm sot në prezantimin e programit “Urat e reja për Shqipërinë 2030”, një program i ri zhvillimi i pronave publike, për të ndërtuar përmes partneriteteve me sipërmarrjen private vepra të reja të infrastrukturës publike, administrative, turistike, kulturore e sociale me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Veliaj tha se, “ne duam të ndërtojmë gjërat aty ku janë, por shumë më të bukura, që rrisin vlerën ekonomike të vendit”.
Ai solli në vëmendje se, në Aleksandri ka pasur një debat, të ndërtohej biblioteka e vjetër e re, apo t’i jepej një koncept i bibliotekës së Aleksandrisë, me një imazh të ri arkitekture.
“Fillimisht ne bëjmë ndërtesat, pastaj ndërtesat dhe ekosistemi na krijon ne”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi ndryshimet që kanë ndodhur edhe në ekonominë e Tiranë janë të mëdha.
“Para 10 vitesh zbuluam se në Tiranë, në fillim të qeverisjes së Kryeministrit Rama, 25% e ekonomisë së Tiranës ishte tekstil dhe 25% fasoneri për këpucë. Kjo do të thotë se bënim punë që paguanin shumë pak. Kurse sot 25% e ekonomisë së Tiranës është turizëm dhe 25% është IT”, u shpreh ai. Ky ndryshim, theksoi Veliaj, është një dëshmi e fuqisë transformuese, që investimet dhe politikat e zhvillimit mund të kenë në një qytet dhe vend.
Një simbol i ndryshimit të madh që ka ndodhur në Tiranë, sipas tij është zona që rrethon stadiumin “Selman Stërmasi”. “Kur e filluam këtë detyrë, ky stadium ishte një parkim i madh autobusësh dhe një vend ku shiteshin makina të përdorura. Sot duket si një përrallë nga e kaluara. Ai ishte imazhi ynë në ato kohë dhe ai ishte imazhi që na ishte bërë si rutinë, ishim mësuar me të keqen dhe bashkëjetonim me të shëmtuarën. Por, falë vizionit të Kryeministrit dhe gjithë asaj pune të jashtëzakonshme që është bërë në Tiranë, sot kemi provuar se, nga vendi më i izoluar i Europës, të jemi qendër e turizmit”, tha ai.
Veliaj tha se stadiumi “Selman Stërmasi” është ndërtuar në vitin 1955, si një replikë e stadiumeve sovjetike të kohës. “Përpara se të fillojë histeria, siç fillon për çdo projekt, është shumë e rëndësishme të kuptojmë faktet: cila është vlera arkitekturore? Në qoftë se te ‘Qemal Stafa’ kishin vlerë shkallaret dhe gurët, të cilat arkitekti Marco Casamonti arriti t’i rikthente siç ishin në projektin e ri, sot te stadiumi “Selman Stërmasi” nuk kemi asgjë të kësaj natyre. Por, për të gjithë tifozët e Tiranës dua të sqaroj se ky stadium është pronë e bashkisë, por administrohet nga klubi, i cili ka arritur në përfundimin se fiton më shumë para duke ia dhënë stadiumin për cirk dhe festa birre një kompanie, sesa nëse do ta përdorte edhe për stadium. Klubi i Tiranës sot është më kail të luajë në Lushnjë, sesa në Tiranë, pikërisht se ka ai më shumë leverdi për ta trajtuar si një kamping për festat e birrës dhe të qoftes. Nuk jam kundër këtyre, thjesht nuk më duket mënyra më eficiente për të përdorur një stadium”, deklaroi kryebashkiaku.
Ai kujtoi edhe gjendjen ku ishte stadiumi “Qemal Stafa”, para se të transformohej në strukturën e jashtëzakonshme që është sot. “Ishte shndërruar në një gomisteri, ndoshta gomisteria për ndërrim vaji e filtra më i madhe në Republikë. Kurse sot “Arena Kombëtare” është një qendër e madhe IT, ka një stacion të rëndësishëm të radios, restorante, hapësira për median. Ka edhe një fushë të gjelbër ku luhet futboll, por ne shkuam nga koncepti i përdorimit të fushës së futbollit një herë në javë, në një stadium që sot është shopping center dhe ka shumë shërbime të tjera 24/7”, shtoi Veliaj. E njëjta gjë, tha ai, ka ndodhur edhe me zhvillimin e Pazarit të Ri, si një projekt që ka ndryshuar rrënjësisht realitetin dhe vlerën e pronës në atë zonë.
Kryetari i bashkisë së Tiranës shtoi se “më 5 shkurt ne presim në Tiranë disa nga qytetet kryesore të botës dhe shumica kanë kërkuar të shohin stadiumin si koncept për të zhvilluar pronën. Në rast se 45% e çdo ndërtese në Vjenë është pronë publike dhe 35% e çdo ndërtese në Berlin është pronë publike, ne kaluam në një histeri kolektive privatizimi duke i lënë mënjanë të gjitha asetet publike. Sot po shohim shtetin sipërmarrës, shteti nuk pret si inferior, shteti merr iniciativën duke ftuar sipërmarrjen për të maksimizuar asetet”, tha ai, teksa vuri në dukje se edhe investimet tek Pazari i Ri kanë rritur 3 deri 4 herë vlerën e pronës dhe të ekonomisë së zonës”.
Programi “Urat e reja për Shqipërinë 2030” është një program i ri zhvillimi i pronave publike, për të ndërtuar përmes partneriteteve me sipërmarrjen private vepra të reja të infrastrukturës publike, administrative, turistike, kulturore e sociale.
/a.f/r.e/