Urbani gërvish makinën, sherr mes shoferit dhe efektivëve të policisë

2 persona kanë mbetur të plagosur, njëri prej tyre në gjendje të rëndë, pas një sherri mes efektivëve të skuadrës së operacioneve më një shofer autobusi të linjës Tiranë-Kamëz. Ngjarja është shënuar në orët e pasdites, kur dy efektivë të skuadrës speciale të policisë së Tiranës ishin duke lëvizur me automjetin e tyre tip BMW dhe gjatë lëvizjes mjeti i tyre është fërkuar me autobusin që transporton punëtorët e një kompanie pijesh freskuese me targa të Tiranës TR 3720 F. Pas incidentit, mësohet se nga mjetet janë shkëmbyer fjalë fyese dhe të shara.
Automjeti BMW ka ndjekur autobusin deri në sheshin para ish-kafe “Flora”, ku ai po zbarkonte pasagjerët dhe më pas efektivët e operacioneve speciale kanë dalë nga mjeti i tyre dhe kanë nisur të debatojnë dhe të përfshihen në konfrontim fizik me shoferin e autobusit dhe persona të tjera që gjendeshin me të.
Nga grindja janë thyer thuajse të gjithë xhamat e autobusit, ndërsa kanë ndërhyrë edhe shoferi dhe fatorino i autobusit të linjës Kamëz-Tiranë me targa AA 855 BN, që ndodhej aty për të ndarë sherrin, pa e ditur se do të bëhej palë në sherr.
Si rezultat i përleshjes shoferi i autobusit të Kamzës ka marrë plagë të rënda nga goditjet në kokë, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Komisariatit numër 3 të Policisë së Tiranës, të cilët si rezultat i konfuzitetit të krijuar u është dashur disa momente të mësonin që kishin të bënin edhe me kolegët e tyre të operacioneve speciale.
Ndërkaq policia bëri shoqërimin e të gjitha palëve në rajon, ndërsa pritet të ngrihet akuzë ndaj një efektivi të operacioneve speciale dhe drejtuesit të autobusit të kompanisë së pijeve freskuese.