Urdhër-arresti për Stresin, pezull prej 5 ditësh
Tiranë- Hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda, që ka ndjekur hap pas hapi dinamikën e kësaj ngjarjeje të denjë për skenarin e një filmi, duket se nuk është shpërblyer në mënyrën e duhur nga gjykata. Më datën 6 maj, përfaqësuesi i akuzës i kërkoi Gjykatës për Krime të Rënda caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg” ndaj Arkimed Lushës, i njohur me nofkën “Stresi” dhe tre miqve të tij: Rolado Kurti, Elis Basha dhe Sebastian Ukcama. Kërkesa e Prokurorisë bazohej mbi një sërë provash të mbledhura gjatë hetimit disamujor, ndërsa akuzonte katër të rinjtë për gjobëvënie ndaj regjisorit Leonard Bombaj. Pavarësisht provave të depozituara në gjykatë, gjyqtari i gatshëm ka vendosur ndaj katër të dyshuarve masën e sigurimit “detyrim për paraqitje”. Me këtë vendim nuk është pajtuar Prokuroria, e cila ka apeluar çështjen, duke fituar të drejtën në Gjykatën e Apelit. Të premten e shkuar, shkalla e dytë e gjyqësorit ka ndryshuar masën e sigurimit të vendosur nga shkalla e parë, e cila e kishte klasifikuar ngjarjen si vjedhje me dhunë, të mbetur në tentativë, dhe jo si gjobëvënie. Pasi analizoi provat, Apeli caktoi masën e sigurimit “arrest me burg” ndaj katër të dyshuarve, të cilët tashmë janë zyrtarisht persona në kërkim nga drejtësia shqiptare. Menjëherë pas vendimit, Krimet e Rënda dërguan menjëherë në polici dispozitivin e vendimit dhe urdhrat për arrestimin e Stresit, dhe tre miqve të tij, urdhra këta që deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk ishin ekzekutuar ende. Sipas burimeve të rezervuara, rezulton se të katër këta persona kanë qenë dje në Shqipëri, informacion ky i marrë në sistemin TIMS, sipas të cilit të dyshuarit ndodheshin brenda territorit të vendit. Të pyetur për mosekzekutimin e urdhër-arresteve, burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda thanë se nuk kishin asnjë informacion nga policia mbi këtë vonesë, edhe pse uniformat blu kanë prej tri ditësh vendimin e gjykatës që cakton masën e sigurimit “arrest me burg” ndaj të dyshuarve.