Stresi: Historia e përdhunimit dhe e vërteta e akuzave të Bombajt
Për Arkimed Lushajn, djaloshin që është bërë pjesë sa e kronikave rozë, po aq edhe asaj të zezë, në historinë që është mbërthyer së fundi mendon se jo vetëm është i pafajshëm, por se ai ka mbrojtur një të pafajshme. Përsa u përket akuzave për shantazh që ka drejtuar në emër të tij (dhe miqve të tij) regjisori Leonard Bombaj, Arkimedi, i njohur nga të gjithë si repisti Stresi, shpjegon se ato janë vetëm shpifje për të mbuluar ngjarjen e rëndë që ka ndodhur mes së miturës dhe Bombajt. Stresi pohon se ai vetëm ka mbrojtur mikeshën e tij dhe pret që drejtësia të vulosë të vërtetën e kësaj ngjarjeje të rëndë, ku ai pretendon se është krejtësisht i pafajshëm dhe se gjithçka është një sajesë prej regjisorit Leonard Bombaj!
Arkimed, mund të na tregoni historinë, sipas jush, të mikeshës suaj dhe Leonard Bombajt?
E vërteta tashmë dihet mes nesh, viktima jam unë dhe vajza, kurse përdhunuesi jeton i qetë.
Ka qenë ajo që ju kërkoi ndihmë për të zgjidhur çështjen?
Po, ka qenë ajo që më kërkoi ndihmë. U shpreh tek unë dhe më tregoi një histori shumë të papërballueshme, sepse kishte frikë t’ua tregonte prindërve dhe foli me mua!
Shoqja juaj bëri një kallëzim penal për Bombajn, ku nuk u vërtetua. Cilat kanë qenë arsyet që kjo çështje nuk u zgjidh me gjyq?
Pasi kontaktuam me Leonardin për punën e vajzës, ajo bëri kallëzim në komisariatin nr 1. Gjithashtu edhe ne bëmë kallëzimin tonë dhe kaq! Kaloi 1 vit gati dhe papritur Leonardi na ka bërë kallëzim neve, për të mbuluar veprën që ka bërë.
Sa kohë ka që është shkëputur nga aktivitetet e Leonard Bombajt mikesha juaj?
Që në momentin që vajza na tregoi për historinë e saj, s’ka bërë më aktivitet tek ai. Më tej punët shkuan keq mes familjes dhe Leonardit.
Cilat kanë qenë shkaqet e largimit të saj?
Të mashtrosh një vajzë të vogël, s’është e vështirë, por pasi vajza doli përballë tij duke i thënë ti më ke përdhunuar, dhe që prej asaj dite ajo s’ka kontakt me Leonardin.
Është e vërtetë që ju jeni takuar në shtëpinë e Leonard Bombajt së bashku me miqtë tuaj, për të zgjidhur këtë çështje?
S’është aspak e vërtetë! Ne jemi takuar në një lokal pranë shtëpisë së tij. Nga na doli kjo shtëpia (hahaha)!
Është e vërtetë që ju i keni bërë shantazh atij, ku hyn shitja e makinës, kërkesa për para? Gjë për të cilën ai ka kontaktuar dhe babanë tuaj?
Jam akuzuar nga Bombaj sikur i kam marrë lekë apo i kam bërë shantazh, por nuk është aspak e vërtetë! Janë shpifje për të fshehur pisllëkun që ka bërë ai.
Si mendoni se do të shkoje kjo çështje?
Unë kësaj çështjeje do t’i shkoj deri në fund dhe mendoj që e vërteta do dalë në shesh dhe organet e shteti do gjykojnë fajtorin.
Keni frikë se do të ndëshkoheni për këtë ngjarje, pasi akuzoheni për shantazh?
S’kam aspak frikë! Jam i pafajshëm. Ndëshkimi do ndëshkojë fajtorin, përdhunuesin, mashtruesin e të miturve e jo mua, që jam krenar që kam mbrojtur atë vajzë.
Ju jeni përfshirë edhe herë të tjera në incidente, mendoni se do ta pengojnë karrierën tuaj këto histori aspak të pakëndshme?
Kjo është jeta që jetojmë dhe këto janë ngjarje njerëzore që ndodhin. Nuk pengon aspak në karrierën time, përkundrazi fansat e mi do më përkrahin më shumë. Jam i sigurt, sepse do ia dal...!