Analiza/Kriza në eurozonë, sfida e parë e qeverisë së pritshme “Merkel 3”
Gustav Horn nuk heziton asnjë moment. Për drejtorin e institutit për Makroekonomi dhe Studimin e Koniunkturës është e qartë, se cila do të jetë detyra kryesore e qeverisë së ardhshme gjermane. "Patjetër që ajo duhet të zgjidhë krizën në eurozonë, sepse prej saj vuan shumë edhe Gjermania. Eksportet tona në vendet e krizës kanë rënë, gjë që nuk është shumë shumë befasuese. Nëse ne duam të jetojmë mirë edhe në të ardhmen nga eksportet tona, atëherë duhet stabilizuar ekonomia në këto vende".
A është përmirësuar gjithçka në dhjetë vitet e fundit? Gjermania duhet të përpiqet për fqinjët e saj nga interesi vetjak, argumenton Horn. Kolegu i tij Michael Hüther është edhe ai ekonomist dhe drejton institutin e Ekonomisë Gjermane, por ideologjikisht ato i ndajnë dy botë. Instituti i Hornit financohet nga një fondacion i afërt me sindikatat, për punën e Hütherit paguajnë shoqatat e punëdhënësve dhe industria. Këtë edhe mund ta dëgjosh: "Ne i kemi përjetuar katër vitet e fundit në krizën e euros. Kanë ndodhur shumë gjëra dhe piketat kryesore janë vendosur. Por tani shtrohet pyetja, se si mund të sigurohet në të ardhmen modeli i biznesit në Gjermani me thelbin e tij industrial. Synimi është që në vitin 2023 të mund të themi: Tani është shumë më mirë se para dhjetë vjetëve, gjë të cilën mund ta themi edhe sot". Hüther kërkon që të përmirësohen kushtet për sipërmarrësit. Kolegu i tij i afërt me sindikatat Horn natyrisht që nuk është dakord. Ai nuk është as i mendimit se në dhjetë vitet e fundit gjithçka është përmirësuar: "Në dhjetë deri pesëmbëdhjetë vitet e fundit në shoqërinë tonë janë krijuar diskrepanca, përsa i përket të ardhurave dhe pasurive. Grupet me të ardhura më të larta shënojnë fitime reale të konsiderueshme. Grupet me të ardhura të ulëta dhe të mesme kanë humbje. Kjo rëndon mbi shoqërinë tonë. Grupet me të ardhura të ulëta dhe të mesme janë shtresat, që konsumojnë më shumë. Nëse ata nuk kanë para të mjaftueshme, nuk mund të presësh që konsumi të shkojë mirë". Ekonomia nuk është shkencë ekzakte, por teori e shpërndarjes së burimeve të pakta. Këtu nuk mund të thuash se kjo është rruga më e mirë, sepse vendimet varen nga mënyra, se si e interpreton botën. Ekonomisti Horn ankohet që shumë njerëz duhet ta përballojnë jetën me pak para. Kjo është gjithsesi më mirë, se të mos kesh aspak, përgjigjet ekonomisti Hüther, i afërt me sipërmarrjet: "Shumë tregues në tregun e punës që nga viti 2005 tregojnë në një drejtim: Papunësia është përgjysmuar, numri i të punësuarve me sigurim shoqëror është rritur, sektori i pagave të ulëta është i qëndrueshëm. Leksioni, që Gjermania mund të mësojë nga përpjekjet e viteve të fundit, është se tregu i punës është leva lëvizëse. Përndryshe papunësia është rreziku më i madh për varfërinë".A është ngritja e taksave e arsyeshme? Hüther kthehet përsëri te argumenti i tij kryesor: Kur sipërmarrjet janë në gjendje të mirë, të gjithë janë mirë. Horn, i afërt me sindikatat, e konsideron këtë argument thjesht propagandë: "Me të njëjtin argument janë bërë çrregullimet e dekadave të fundit dhe uljet e taksave, që na kushtojnë çdo vit 50 miliardë euro. Paratë mungojnë për modernizimin e infrastrukturës". Të dy ekonomët janë të një mendimi, se Gjermania ka nevojë për një infrastrukturë të mirë dhe moderne, për të qenë e aftë të konkurrojë. Në rrugët e trafikut, energji, shkencë dhe arsim duhet bërë shumë më tepër. Por mendimet e tyre ndahen te financimi. Ngritja e taksave, siç e planifikojnë partitë opozitare PSD dhe të Gjelbrit, do të ishte gabimi më i madh, që mund të bënte qeveria gjermane, mendon ekonomisti i afërt me industrinë Hüther. Konkluzioni: Edhe në ekonomi gjithçka varet nga mënyra se si interpretohet bota. Pjesa tjetër është çështje e qëllimeve e interesave dhe natyrisht edhe e besimit në premtimet zgjedhore. Të dielën duhet të zgjedhin qytetarët.