“Urdhri i Mjekut” në Kushtetuese, Asambleja autorizoi drejtuesit për procedurat nëse s’rishikohet

Pas publikimit të aktit normativ mbi disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për Urdhrin e Mjekut, Asambleja e Përgjithshme e këtij organi ka votuar këtë të premte(30 gusht) në unanimitet kundër këtyre ndryshimeve.
Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Fatmir Brahimaj tha se këto ndryshime cenojnë rëndë autonominë dhe pavarësinë e Urdhrit.
“Shpreh mos dakordësinë me këto ndryshime thelbësore që transformojnë rolin, misionin dhe Urdhrin e Mjekut. Në të gjithë botën urdhrat, dhomën e mjekëve konsiderohen organe të vetë rregullimit apo vetëqeverisjes profesionale. Pra duhet t’i bëjmë vetë rregullat pasi e njohim shumë mirë profesionin”, tha ai.
Në lidhje me dy punësimin e mjekëve, Brahimaj tha se kontratat dhe rregullat e saj nuk janë pjesë e Urdhrit, por e politikave shëndetësore ndaj nuk i takon Urdhrit të merret me këtë.
“Problemet e punësimit nuk kanë pse të ngatërrohen me kriteret e anëtarësimit. Ato janë politika shëndetësore të qeverisë dhe mund të zgjidhin me rregulloret e administratës shëndetësore”, shtoi ai.
Në rast se akti normativ nuk rishikohet, asambleja autorizoi Këshillin Kombëtar dhe drejtuesit ta çojnë ligjin në Kushtetuese.
“Asambleja na autorizon se nëse nuk marrim një reagim pozitiv, çështja të shkojë në Gjykatën Kushtetuese”, tha presidenti.
Pas botimit në fletoren zyrtare akti normativ pritet të hyjë në fuqi pas rreth dy javësh.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/