E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i Shëndetësisë: Kontroll prioritar ujit dhe ushqimit

Turizmi Urdhëresa e Ministrisë së Shëndetësisë është për kontrolle të përditshme në hotele, restorante, kanalizime

Autoritetet shëndetësore në bashkëpunim me Inspektoratin e Mjedisit duhet të ushtrojnë kontrolle të përditshme. Sipas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë, lëshuar fill pas çeljes së sezonit turistik, duhet të ndiqen me përparësi problemet e grumbullimit, largimit dhe përpunimit të mbetjeve urbane, mbetje nga aktivitete të ndryshme industriale, ujëra të përdorura dhe gropat septike. Në hotele, restorante, inspektorët janë të autorizuar të ndjekin me kujdes problemet në drejtim të zbatimit të rregullave të përgjithshme higjieno-sanitare në objekt, pajisjes me akt-miratim higjieno-sanitar, pajisjes së punonjësve me librezë shëndetësore dhe të kujdesit që duhet ushtruar për dezinfektimin, deratizimin e dezinfektimin e mjediseve të brendshme dhe të jashtme. Vëmendje e veçantë duhet të bëhet për zbatimin e normave, ruajtjen, përpunimin e produkteve ushqimore, për të shmangur infeksionet dhe intoksikacionet me origjinë ushqimore. Objektet tregtare, pika shitjeje me shumicë, pika ambulante duhet të kontrollohen me përparësi dhe njëkohësisht të merren të gjitha masat e nevojshme në drejtim të kontrollit të produkteve ushqimore. “Në të gjitha zonat turistike duhet të ndiqet me përparësi situata higjienike dhe epidemiologjike në vazhdimësi. Drejtoritë e Shëndetit Publik të organizojnë punën për funksionimin korrekt të shërbimit shëndetësor dhe të intensifikojnë punën në drejtim të kontrolleve”, thuhet në shkresën e ministrisë. Shërbimet e Higjienës Epidemiologjisë duhet që të fuqizojnë kontrollet higjieno-sanitare dhe epidemiologjike për parandalimin e shfaqjes së shpërthimeve të ndryshme. Sipas udhëzimit duhet të ndiqen me përparësi problemet e kontrollit, monitorimit të ujit të pijshëm, në drejtim të dezinfektimit të tij, bazuar në Rregulloren Higjieno-Sanitare për kontrollin e cilësisë së ujit të pijshëm.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›