Ushqimi i kontaminuar, helmon dasmorët
Fundjava ka rritur numrin e pacientëve në urgjencë në shërbimin e Infektivit. Mjekët infeksionistë shpjegojnë se shumë nga pacientët vijnë të helmuar nga ushqimet që konsumojnë në dasma. Mesatarisht në një ditë, në këtë pavijon, paraqiten rreth 80 persona. Ushqimet që konsumohen nëpër restorante, kryesisht në dasma, shpesh janë të kontaminuara për shkak të temperaturave të larta dhe ruajtjes në kushte të papërshtatshme.
Mjekja infeksioniste, Ermira Muço, shpjegon se ka dhe shumë raste të prekura nga një virozë e stinës, ndaj u rekomandon qytetarëve të jenë sa më të kujdesshëm në këtë periudhë. Sipas rekomandimeve të mjekëve duhet të konsumojmë ushqime të freskëta dhe të ruajtura në kushte frigoriferike. Në këtë periudhë, ushqimet duhet të gatuhen në temperaturë 70 gradë Celsius dhe pasi nxirren nga frigoriferi ato mund të ngrohen dhe duhen konsumuar, pasi ushqimi nuk mund të futet dhe të ngrohet sërish.
#