Teodosije, serbëve të Kosovës: Mos i shisni pronat
Peshkopi serb Teodosije në liturgjinë që mbajti dje në kishën e Shën Petkut në Llapnasellë afër Prishtinës, i bëri thirrje serbëve që të mos shesin pronat, të mos tradhtojnë paraardhësit dhe me qëndrimin në pronat e tyre të ruajnë vendet e shenjta serbe në Kosovë. “Ju bëj thirrje vëllezër që të mos shisni tokën tuaj, pasurinë tuaj, shtëpitë tuaja. Askush nuk ka pasur fat duke shitur atë që ka trashëguar nga paraardhësit. Detyra dhe obligimi ynë ndaj fëmijëve tanë, pasardhësve tanë, është t’iu dorëzojmë këto vende të shenjta, që ata të kujdesen për to, ashtu siç i kemi marrë ne nga paraardhësit tanë”, tha peshkopi Teodosija, duke iu drejtuar besimtarëve, transmeton portali “24sata”. Apeli i peshkopit Teodosije i është dërguar banorëve të çagllavicës, Preocit dhe Llapnasellës, në të cilat lokalitete, shitja e pronave ka shënuar rritje dhe kërcënon të shuajë plotësisht serbizmin.
Në liturgjinë e mbajtur në Llapnasellë, afër Prishtinës, kanë qenë të pranishëm qindra besimtarë.